Shpallje

Me një makinë të mbuluar me lule, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan mbërriti në Parlamentin e vendit, ku u betua për mandatin e dytë radhazi si president, por të parin me fuqi ekzekutive.

Që nga kjo e hënë, Turqia ka një sistem të ri qeverisës, ku presidenti ka fuqi të jashtëzakonshme. Erdogan u betua në Parlament një muaj pas zgjedhjeve që i fitoi me 53% të votave, e që ligjëruan fuqitë e reja për të, që i japin fund qeverisjes së Parlamentit dhe shndërrojnë presidentin në një sulltan, siç është cilësuar nga kritikët.

“Si president, betohem për nderin tim para kombit dhe historisë madhështore turke, se do të punoj me të gjitha energjitë e mia që të mbroj dhe lartësoj lavdinë dhe nderin e Republikës së Turqisë”, tha Erdogan.

Sistemi i ri presidencial i Turqisë eliminon kryeministrin, e tashmë është presidenti që formon qeverinë, duke emëruar zëvendësit e tij dhe ministrat, nxjerr dekrete, përgatit buxhetin dhe vendos politikat e sigurisë.

Pas ceremonisë zyrtare të betimit në Parlament, Erdogan zhvilloi homazhe në mauzoleumin e themeluesit të Turqisë moderne dhe laike, Qemal Ataturku, mbase për të qetësuar zërat kritikë që e akuzojnë jo vetëm për shndërrimi në sulltan, por edhe për islamizimin e Turqisë.

Në betimin e presidentit Erdogan, mes dhjetëra krerëve të shteteve dhe kryeministrave, janë edhe kreu i qeverisë shiqptare Edi Rama, si dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.