Shpallje

Zhytësit profesionistë kanë mundur të nxjerrin edhe 4 djem të tjerë nga shpella e përmbytur në veri të Tajlandës, në ditën e dytë të një operacioni tejet kompeks.

Marinsat tajlandezë, të cilët udhëheqin operacionin, konfirmojnë se deri më tani janë nxjerrë 8 djem, nga 12 të tillë që ishin bllokuar prej dy javësh, ndërsa trajneri i tyre mbetet ende brenda shpellës.

Katër djemtë e parë u nxorën të dielën, por misioni u desh të ndërpritej përgjatë natës, në mënyrë që të zëvendësoheshin ose të rifurnizoheshin me oksigjen bombolat.

Përpara konfirmimit të kësaj të hëne, se ishin shpëtuar edhe 4 djem të tjerë ambulancat u panë të mbërrinin në qytezën më të afërt të Chiang Rait. Zhytësit vendosën të vijonin më tej me operacionin për të nxjerrë në sipërfaqe edhe pjesën tjetër të grupit, mes frikës se me ardhjen e sezonit të reshjeve, niveli i ujërave që ka përmbytur shpellën do të mund të rritet sërish.