Shpallje

Nga Hermes Kafexhiu

Me një reagim krejtësisht qytetarë kundrejtë disa lajmeve që kam parë në vazhdën e diskursit mbi TK-në, vura re reagimin e radhës së Elia Zaharisë tek thotë se “firma e saj është falsifikuar”, njëlloj si e Piro Manit me Pavlina Manin.

Tani këtë lodrën e manipulimit të “Opinionit Publik”, pa dashur të shkel në kallo se mbase Elia e ka hedhur dhe është penduar, ndryshe nga Pavlina që mu duk ca e çuditshme ta hidhte nga New York-u, them se nëse është e vërtetë kjo punë, këta kalemxhinjtë e falsitetit të bëjnë një tërheqje taktike, nëse kleringu nuk është aq i shtrejntë sa t’ja vlejë.

Kjo lodra me të vërtetën është shumë e dëmshme!

E vërteta nuk është relative o analfabet funksional, veshja që i bën asaj po!

Se nëse gënjeshtra arrin këto kufinjë, atëherë aty çështja nuk është vetëm një ndërtesë e bukur, por tek një e bukur që diç fsheh…

Vallë të bësh kaq sakrificë të madhe sa të mbrosh idenë për të modernizuar qytetin duke hedhur firma false në peticione?!

Kjo është e shëmtuar dhe aspak kurajoze, është po aq mitomane dhe aspak efiçente, është po aq gjithëologe dhe aspak kontemporane, është po aq e vjetër sa kurrë nuk mund të jetë moderne.

Këto paravolirat meskine të djelmoshave të vegjël që kur mësuesja u vinte “Mirë” në fletore i shtonin fjalën “Shumë” përpara, që nëna mos ta linte në banjo me një këmbë, janë histori e vjetër, që dhe e përsëritur të vij e gënjejnë sytë.

Qasja ndaj kësaj forme do na ftoj ta shohim në një moment të dytë thënien e së vërtetës si luks.

Për të gjithë ata që nuk e kanë lexuar, ju kujtoj se në një nga librat e famshëm të Bulgakov “Diaboliada dhe tregime të tjera” ka një tregim shumë të këndshëm që tregon historinë e një qyteti,sunduesi i të cilit kishte shprehur dëshirën për një qytet pa vjedhje, pa vrasje, pa krime. Edhe ndodh që në qytet vërtitej prej kohësh një vrasës serial, një mjek i sëmurë mendor me emrin Andrej Jurgevic i cili vriste fëmijë të braktisur në stacionet e trenit. Rasti nga policia përherë raportohej sikur djemtë vdisnin aksidentalisht pranë shinave, ngaqë mos të prishej dëshira e sunduesit për një qytet pa vrasje. Mirëpo ndodh që një hetues mes shumë peripecish arrin ta gjejë vrasësin dhe pastaj ngadalë sunduesi fillon të pranojë se në qytet duhet dhe një Inspektoriat i Specializuar për të Hetuar vrasjet…

Nuk duhet domosdoshmërit që të gjithë të mendojnë se kanë nevojë për një teatër modern, nëse mendon se duhet modern, BËJE. Vendimet që të kanë lënë të marrësh vinë nga zgjedhje demokratike.

Nuk ka pse të vret fakti që unë s’jam dakord dhe duhet të mendoj si ty, ndërgjegjia e qetë lumon duke besuar në idenë e vetë.

Është po aq moderne dhe bashkëkohore të mendojmë ndryshe, por pa thyer principet mbi të vërtetën, mbi bindjen ideologjike, mbi anën politike.

Ne do të mendojmë përherë ndryshe, ndryshe nuk do të ndryshojmë.

As ti nuk do të ndryshoje!