Shpallje

Transferimi i shekullit në futbollin botëror po merr formë këtë javë. Juventusi do të jetë skuadra e re e futbollistit portugez, Cristiano Ronaldo, fituesi në fuqi i “Topit të Artë” dhe një kandidat për ta rifituar çmimin prestigjioz.

Kjo e martë ishte dita vendimtare për të sheshuar edhe detajet e fundit të tratativës së bujshme, që do të çojë kapitenin e kombëtares portugeze në Torino për 105 milionë euro.

Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez dha lejen për të dërguar kërkesën e transferimit për lojtarin më të vlefshëm të ekipit, që kishte arritur më parë akordin me Juventusin për 30 milionë euro, për 4 vitet e ardhshme.

Udhëtimi i presidentit të Juventusit në Kallamata, aty ku Ronaldo ndodhet me pushime prej ditësh, ishte vendimtar për ecurinë e negociatave, që bindën edhe agjentin e futbollistit Jorge Mendes. Ky i fundit, që ndodhet pranë lojtarit në resortin grek të Costa Navarinos, do të marrë rreth 25 milionë euro komision.

Kështu, ndodhi ajo që ishte paralajmëruar prej ditësh. I shtyrë nga pakënaqësitë me drejtuesit dhe oferta e majme financiare, Ronaldo vendos të provojë një aventurë të re në Itali. Më kot u tentua në orët e fundit një telefonatë mes trajnerit Lopetegui dhe lojtarit portugez, që ritheksoi dëshirën për t’u larguar nga Reali, madje pa asnjë ceremoni lamtumire.