Shpallje

Kukësi do të nisë sot në mbrëmje misionin europian me shpresën që këtë vit të shkojë deri në grupet e Europa League. Në “Loro Boriçi” në orën 19:00 verilindorët do të zhvillojnë ndeshjen e parë të turit të parë kualifikues të Champions League ndaj maltezëve të Valletas.

Një kundërshtar i lehtë në letër por i paparishikueshëm në fushë pasi bëhet fjalë për një ekip që merr pjesë rregullisht në kompeticionet europiane. Objektivi i Kukësit është një dhe i vetëm të kalojë me çdo kusht turin e parë në Champions për të siguruar minimalisht pjesëmarrjen në turin e tretë kualifikues të Europa League.

Kukësi vjen me shumë ndryshime teksa vetëm 5 titullarë nga skuadra e sezonit të kaluar pikërisht Frashëri, Shameti, Musolli, Dzaria dhe Shkodra priten ta nisin që nga fillimi takimin e sotëm, ndërsa do të debutojnë me verilindorët 6 nga 12 afrimet e kësaj vere.