Shpallje

Shpëtimi, në dukje i pamundur i djemve të bllokuar prej mbi dy javësh në një shpellë të Tajlandës, ishte rezultat i përpjekjeve titanike të ekipeve të zhytësve vendas, por edhe asistencës së një grupi ekspertësh të huaj, mes të cilëve pati specialistë, inxhinjerë, mjekë e personel ushtarak nga e gjithë bota.

Ndërhyrja e tyre luajti rol vendimtar në hartimin e një strategjie transportimi të të miturve prej guvës së përmbytur.

Plot 13 zhytës të huaj iu bashkuan ekipeve vendase në përpjekjet e mundimshme të shpëtimit. Dy prej tyre ishin britanikë, Richard “Rick” Stanton dhe John Volanthen. Mjeku australian, Richard Harris anuloi pushimet kur iu kërkua të ishte i pranishëm në vendngjarje.

Në total, 110 marinsa tajlandezë morën pjesë në operacionin ku humbi jetën njëri prej tyre, gjë që evidentoi edhe më shumë rrezikun që barte nisma në vetvete.