Shpallje

Luftëtari i Europës është për turp. Humbje turpëruese për gjirokastritët në debutimin e tyre në turin e parë kualifikues të Europa League. Në Letoni skuadra e sllovenit Milos Kostic u mposht me rezultatin e thellë 5-0 nga vendasit e Ventspils, për meritë të një 19-vjeçari nigerian i cili bëri çfarë i donte qejfi me mbrojtjen gjirokastrite duke shënuar 4 gola.

Luftëtari e nisi si mos më keq sfidën dhe brenda 45 minutave të para portieri Bukovski u mposht 5-0, 4 herë nga Akinyemi dhe një herë nga nigeriani tjetër Aiyegun. 2 prej 5 golave erdhën nga pika e bardhë e penalltisë. Një rast përballë portierit i humbur nga Shkurtaj në pjesën e parë ishte shumë pak për bluzinjtë. Luftëtari u përpoq të reagonte disi në pjesën e dytë por nuk arriti të gjente as golin e nderit.

Gjithashtu në ndeshjen tjetër ku luante Partizani kundër Mariborit në stadiumin “Selman Stërmasi”, rezultati ishte humbja por këtë herë minimale. Partizani u mund në shtëpi nga Maribor me rezultatin 0-1.

Duket shumë e vështirë për ekipet shqiptare që të kalojnë në fazën tjetër të Europa League, ku flamurin lart e mban vetëm Laci i cili është në avantazh ndaj Anorthosis në Qipro, edhe pse është ende herët për të foolur pasi po luhet vetëm minuta e 35 e ndeshjes.