Shpallje

Për 2 ditë me radhë bë selinë e re të NATO-s u mbajt Samiti i 29-të i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Shqipëria u përfaqësua me një delegacion të kryesuar nga Kryeministri, Edi Rama, me pjesëmarrjen e Ministrit për Evropën dhe Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

“Pavarësisht mendimeve të ndryshme mes aleatëve për çështje të veçanta, u rikonfirmua solidariteti dhe uniteti transatlantik i Aleancës, e cila do të vijojë të prodhojë dhe të jetë garantuese e sigurisë në hapësirën euroatlantike.
Për t’iu përgjigjur në mënyrë adeguate kërcënimeve e sfidave serioze e komplekse të sigurisë, si nga Lindja, ashtu dhe nga Jugu, Aleanca mori vendime të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kolektive dhe të shkurajimit, si dhe projektimin e stabilitetit dhe luftën kundër terrorizmit në hapësirën euro-atlantike dhe rreth saj.
Samiti i kushtoi rëndësi të posaçme mbështetjes dhe ndihmës ndaj partnerëve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, për aftësimin e tyre në përballimin e sfidave aktuale të sigurisë. Vendet aleate miratuan inicimin e Misionit të ri stërvitor jo-luftarak të NATO-s në Irak dhe vendosën paketat e reja të ndihmës për Jordaninë dhe Tunizinë”, thuhet në njoftimin e MPJ.

Në kontekstin e Samitit, Ministri Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e veçantë të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Koalicionit Global kundër të ashtuquajturit “Shtet Islamik”, thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mposhtja e terrorizmit në të gjitha format e tij, duke u përqendruar në parandalim dhe në adresim të faktorëvve ideorë mbetet një objektiv kyç për të gjitha vendet tona dhe një sfidë për stabilitetin e rajonit”, deklaroi ministri Bushati.

MEPJ deklaron se në Samit u rikonfirmua rëndësia strategjike e rajonit të Ballkanit Perëndimor për sigurinë e Aleancës, si dhe e peshës në rritje të Shqipërisë, e shprehur si nëpërmjet shumëfishimit të kontributeve për operacionet e NATO-s, ashtu dhe politikisht, në vendimmarrje dhe në politikë-bërjen e Aleancës, sidomos në kontekstin e rajonit dhe Politikës së Dyerve të Hapura.