Shpallje

Nga Brikena Xhani Metaj

Prej vitesh tashmë gjej përherë e më pak gjurmë të qytetit tim të fëmijërisë, Sarandës sime. Koha dhe njerëzit i rrëmbyen përdhunshëm çdo kujtim të atyre viteve, duke më bërë të ndihem përherë e më shumë e huaj në vendlindjen time.

Por asnjëherë më parë nuk jam ndier kaq e huaj dhe kaq e padëshiruar sa dy ditë më parë. Sikur të mos mjaftonte çdo rrugë e rrugicë e dikurshme, e zhdukur nga harta e Sarandës që kam në kujtimet e mia, tashmë për sarandiotët vendas bregu i detit do të mund të jetë i aksesueshëm vetëm në përfundim të sezonit veror. Duket e dhimbshme dhe ndoshta e pabesueshme që për të bërë plazh në bregun më të afërt shtëpisë tënde, që nuk ndodhet më shumë se 100 metra më tej, ty të duhet të paguash çdo ditë të paktën 500 lekë për shezlong e çadër.

Çdo pëllëmbë bregu deti tashmë është e pronësuar, e veshur e gjitha me shezlongët e çadrat e dikujt, ndërsa unë e gjeta veten me çadër e peshqirë në dorë, pa patur një sheshpushimi. Ku është logjika e të gjithë kësaj?

Nuk ka më plazhe publike në këtë vend?

Hapësira e lejuar publike e bregut të detit, e lënë në dispozicion nga bashkia për ata që nuk munden apo nuk duan të paguajnë për të bërë plazh, është jo vetëm larg, por edhe i pamjaftueshëm si sipërfaqe. Duket se për bashkinë Sarandë, përkufizimi “pronë publike e patjetërsueshme” nuk ka asnjë kuptim.

Askush nuk mendon për qytetarët e thjeshtë të këtij qyteti, ata që pas disa orësh të lodhshme pune, duan të kridhen një copë herë në det apo fundjavën të mund të bëjnë pak plazh si gjithë bota. Askush nuk mendon për turistët që çdo vit e më shumë po e braktisin Sarandën sepse nuk ka xhep turisti të përballojë kostot e larta të pushimeve në Sarandën turistike. Aty, ku dikush të vjen e të kërkon të paguash jo sepse ti je ulur në shezlong, por për hijen e çadrës që ka mbërritur deri aty ku je ti.

Aty, në Sarandën e Ksamilin turistik, ku “pronarët” e babëzitur të bregut të detit që Zoti ia bëri dhuratë sarandiotëve, të bëjnë raprezalie e terrorizojnë turistët duke kontrolluar çantat e tyre për ujë apo ushqime. Sepse gjithçka duhet blerë aty, “në resortin e tyre”. Nuk ka rëndësi nëse do apo nuk do, nëse mundesh apo jo, nëse thjesht ty të pëlqen ta shijosh plazhin pa salltanetet e tyre. Asnjë prej dëshirave të tua, qofsh banor vendas apo turist, nuk ka rëndësi në Sarandën turistike. E rëndësishme është sa do të jetë fitimi i tyre, duke nisur nga hija e çadrës deri te një pjatë makarona që të ofrohet për 1000 lekë. Bashkia, i vetmi rregullator dhe mbrojtës i interesave të qytetarëve, këta të fundit, të paktën në sezonin veror, nuk i ka pjesë të vëmendjes së vet. 


Nuk kam aspak qëllim të bëj antireklamë.

Si mund ta bëj këtë për vendlindjen time?!

Thjesht më dhemb shumë e nuk mund ta përshkruaj ndjesinë që më ndrydh shpirtin kur detyrohem të pranoj realitetin e dhimbshëm të Perlës së Jugut dhe rrethinave të saj turistike.