Shpallje

Që sot nxënësit që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt do t’u jepen tekstet shkollore në përdorim falas.

Ky është vendimi i marrë sot nga Qeveria në mbledhjen e saj të sotme, ku thuhet se çmimi i blerjes së teksteve shkollore mbulohet 100% nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për Arsimin. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në fletoren zyrtare.

Në vendim thuhet se blerja e teksteve shkollore të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt, në emër të prindërve ose përfaqësuesve ligjorë, për llogari të nxënësve, realizohet nga institucioni arsimor, për llogari të njësisë arsimore vendore.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, parashikohen në shumën prej 270 000 000 lekësh. Këto fonde janë parashikuar në buxhetin e miratuar për vitin 2018.