Shpallje

Luka Modriç po udhëheq kombëtaren kroate në një sukses të jashtëzakonshëm, duke mbërritur tashmë në finalen e Kupës së Botës. Mesfushori kroat, që luan për Realin e Madridit, është aktualisht një kandidaturë potenciale për të fituar “Topin e Artë”. Pas ndeshjes me Rusinë, Modriç u pyet nga gazetarët në lidhje me fitimin e mundshëm të këtij çmimi prestigjioz individual, por u shpreh se për momentin ishte kombëtarja, ajo që i interesonte.

Por Luka Modriç duket se do të jetë kandidati kryesor, edhe nëse nuk e fiton Kupën e Botës me Kroacinë, në finale ndaj Francës. Janë mediat, ato që i japin një dorë kandidaturës së tij si fitues i trofeut më të lakmuar personal, që në dekadën e fundit ka pasur vetëm dy emra, Messi dhe Ronaldo. Është tabloidi prestigjoz britanik, Dayli Mail, që në një editorial kushtuar Luka Modriç thotë se ai duhet të jetë patjetër fitues i “Topit të Artë” këtë vit.

“Edhe nëse humbet finalen e Kupës së Botës, Modriç duhet të bëhet fitues i “Topit të Artë”, që është bërë pronë e Ronaldos dhe Messit prej vitit 2008, – shkruan Dayli Mail në versionin online. – Fitimi i Ligës së Kampionëve për herë të tretë dhe udhëheqja e Kroacisë drejt finales së Kupës së Botës është arritje e futbollit në 2018 dhe për këtë Modriç duhet të shpërblehet. Kështu, do të ishte hera e parë që ky çmim do t’i jepej dikujt tjetër, emri i të cilit nuk është as Lionel Messi dhe as Cristiano Ronaldo, që e kanë fituar atë prej vitit 2008”.