Shpallje

Bisedimet për anëtarësim në NATO nisin me marrjen e ftesës. Por Maqedonia duhet të finalizojë marrëveshjen me Greqinë deri në mars të vitit 2019.

Bisedimet pritet të përfundojnë më së voni deri në mars të vitit 2019, ndërsa deri atëherë Maqedonia do të duhet ta finalizojë Marrëveshjen me Greqinë për emrin, me qëllim që vendet anëtare të NATO-s të nisin ratifikimin e protokollit aderues.

Koordinatori kombëtar për përgatitjen e Maqedonisë për hyrje në NATO Stevo Pendarovski thotë se për Maqedoninë detyrë më konkrete është implementimi deri në fund i marrëveshjes me Greqinë.

Zaev: Sukses i qytetarëve

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev nga Brukseli i ftoi qytetarët e Maqedonisë më 14 korrik në festë të përbashkët në 15 qytete nëpër vend për ta festuar ftesën për në NATO si një sukses të madh për të gjithë. “Maqedonia shkon vetëm përpara, ndërsa qytetarët po radhitin edhe një sukses të madh. Urime Maqedoni. NATO-ja vendosi të dërgojë ftesë për t’u bërë anëtarja e 30-të e Aleancës.

E morëm ftesën për t’u bërë aleat i vendeve më të fuqishme të botës. Pritëm edhe një ditë të madhe. I realizuam qëllimet tona strategjike, ëndrrat dhe shpresat tona të përbashkëta “, ka deklaruar Zaev.

Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani nga selia e NATO-s në Bruksel përmes video-porosisë ka thënë se ftesa për anëtarësim në NATO është ditë historike për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. “Sot mbyllim një kapitull nga zhvillimi shoqëror dhe shtetëror i Maqedonisë. Ne fillojmë proces të ri i cili bëhet i pakthyeshëm për anëtarësim në NATO dhe BE. Këto janë hapa komplementare”, thotë Osmani në video porosinë.