Shpallje

Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Gjykatës që e dënon me 60 orë pune në interes publik ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi, i cili u cilësua fajtor për akuzën e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit. Përmes një reagimi për mediat, PD thekson se ky vendim është provë se kryeministri Rama po tallet me procesin e dekriminalizimit.

“Vendimi i sotëm i prokurorisë dhe gjykatës për të lënë jashtë burgut mikun e Edi Ramës, ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi, i shkarkuar si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, është një provë e qartë se Edi Rama nuk e ka seriozisht procesin e dekriminalizimit dhe po tallet me atë proces jetik për vendin”, thuhet në reagimin e PD.

Kujtojmë se fillimisht Gjykata e dënoi Roshin me 7 muaj e 15 ditë burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu reduktua në 5 muaj. Më pas, sipas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e pezulloi ekzekutimin e dënimit dhe e konvertoi me punë në interes publik.

Reagimi i plotë i Partisë Demokratike:
Vendimi i sotëm i prokurorisë dhe gjykatës për të lënë jashtë burgut mikun e Edi Ramës, ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi, i shkarkuar si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, është një provë e qartë se Edi Rama nuk e ka seriozisht procesin e dekriminalizimit dhe po tallet me atë proces jetik për vendin.

Sot shqiptarët panë se kur ke mik Edi Ramën dhe drejtësinë nën kontroll, i shpëton burgut dhe bën vetëm 60 orë punë për komunitetin.

Njësoj shpëtoi nga burgu edhe deputeti tjetër mik i Edi Ramës, Tom Doshi.

Partia Demokratike që në fillim ka bërë të qartë se emërimi antikushtetues i Prokurores Private Politike Arta Marku nga Edi Rama u bë për të shpëtuar nga burgu atë, ministrat e tij të korruptuar dhe kryebashkiakët e tij të lidhur me krimin e organizuar.

Arta Marku, njësoj si Edi Rama, konstatoi në pretencën e prokurorisë se Elvis Rroshi është një qytetar i nderuar dhe pa rrezikshmëri shoqërore.

Prandaj i kërkon gjykatës që ta falë dhe të mos e cojë në burg.

Elvis Rroshi është i dënuar në Itali për veprën e rëndë penale “përdhunim në grup”, si dhe ka disa procedime penale në Gjermani, Zvicër e Itali për trafik droge.

Vendimi i sotëm i prokurorisë është një tjetër provë se Arta Marku është në shërbim të Edi Ramës, për të shpëtuar nga burgu të gjithë anëtarët e bandës së tij kriminale, me të cilët erdhi në pushtet dhe po mban pushtetin.

Vendimi i sotëm i organeve të drejtësisë është një tjetër provë që Reforma në Drejtësi u përdor nga Edi Rama për të kapur politikisht sistemin gjyqësor, për hallin e tij personal dhe për hallet e bandës së tij kriminale.

Sa kohë Edi Rama të jetë në pushtet, rrjeta e drejtësisë nuk do i kap “peshqit e mëdhenjë”, por ato do të dalin nga rrjeta dita ditës.

Partia Demokratike garanton opinionin publik se dita e shkëputjes së lidhjeve të Qeverisë me krimin e organizuar nuk do të jetë e largët.

Largimi i Edi Ramës do të jetë edhe dita ku drejtësia do të çlirohet nga duart e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe “peshqit e mëdhenj” do të bien në rrjetën e drejtësisë së pavarur.