Shpallje

Presidenti amerikan, Donald Trump kritikoi administratën Obama, që nuk i është përgjigjur me ashpërsinë e duhur Rusisë në sulmet kibernetike ndaj demokratëve në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Përgjigjia e parë e Trump ndaj akuzave që ngriti të premten Prokurori i Posaçëm Robert Mueller kundër zyrtarëve rusë, për ndërhyrje në politikën amerikane erdhi përmes disa postimeve në rrjetin social twiter që Presidenti Trump shkroi nga rezorti i golfit në Skoci ku ai ndodhet dy ditë para takimit të tij në Finlandë me Presidentin rus Vladimir Putin.

“Historitë që ju dëgjuat dje për 12 rusët kanë ndodhur gjatë administratës Obama, jo gjatë administratës Trump. Përse nuk u bë asgjë për këtë çështje, kur Presidenti Obama u njoftua nga agjentët e FBI në shtator, para zgjedhjeve?” – shkruante Trump.

Në aktpadinë që u njoftua të premten për 12 zyrtarët rusë, thuhet se rusët kishin ndërhyrë në sistemet kompjuterike të fushatës presidenciale të Hillary Clinton dhe se kishin publikuar dhjetëra mijëra komunikime private, në kuadrin e një komploti më të gjerë të Kremlinit, për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, që përfundoi me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

aAgjencitë amerikane të zbulimit kanë thënë se Moska synonte të ndihmonte ardhjen në pushtet të Trump dhe të minonte Clinton. Gjatë javës së tij në Europë, i pyetur në se do ta ngrinte çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane, Presidenti Trump u shpreh “me siguri që kam për ta ngritur këtë çështje në takimin me Putin”.