Shpallje

Nga Arli Minga/

“Rusi 2018” përvecse ishte një Botëror futbolli, ngjarja më e madhe futbollistike dhe “Olimpi” i cdo futbollisti, ishte një manifestim i vlerave të kombeve të gjithë botës në 30 ditë. Ishte një rikujtim, sic ndodh cdo 4 vjet, i një aksiome të gjithëpranuar se sporti e për më tepër futbolli si sporti më popullor, ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë “fusha e blertë” ku të gjithë jemi bashkë për 90 apo 120 minuta.

“Rusi 2018” ishte Botërori model i organizuar nga një super shtet i cili nuk mund t’ia lejonte kurrsesi vetes cedimet në kësi evenimentesh, si për t’i treguar botës edhe një herë tjetër e sa herë i jepet mundësia, se cfarë madhështie përfaqëson.

Për të mirën e kulturës, rastisi se fitues në tokën e Pjetrit të Madh, Dostojevskit, Chehovit e Gogolit, do të fitonte një kombëtare e cila përfaqëson pikënisjen dhe destinacionin e kulturës evropiane, Franca e Napoleonit, Hygoit, Balzakut, Kamysë, Volterit e shumë penave të ndritura të historisë së letërsisë dhe filozofisë.

Në 14 korrik Franca festoi datëlindjen e 228-të si Republikë e ngriti lart flamurin tri-ngjyrësh, për të na risjellë dhe një herë në mendje shtyllat e kombit të vet: Barazi, Vëllazaëri, Liri. Një ditë më pas më 15 Korrik 2018, në Moskë, francezët u shpallën për herë të dytë në histori, Kampionët e Botës në futboll.

Mes debateve sportive se Kroacia luajti më mirë, por Franca u tregua më cinike dhe fitoi me zgjuarsi, pati dhe nga ato rryma mendimi se nuk ishte Franca ajo që e fitoi Botërorin, por e fituan refugjatët afrikanë të cilët Franca i rriti e bëri futbollistë në të mirë të vetes për t’u shpallur sic u shpall dje Kampione e Botës. E në fakt, më shumë se askush tjetër, ishte Franca ajo që e fitoi dhe e meritoi Botërorin, për një fakt të thjeshtë: I dha gjithë botës një tjetër leksion kulturor në kohën kur kjo botë kishte më shumë nevojë.

Jetojmë në një kohë kur ndasia më e qenësishme mes qeverive botërore, por edhe popujve mes vetit, është fluksi i emigracionit që vjen nga Lindja për në perëndim, apo dhe nga perëndimi drejt perëndimit më të realizuar e avancuar. Është një kohë kur diskutimet shtrohen në rrafsh ekzistencial përsa i përket atyre që janë kundër pranimit të emigrantëve nga shtetet e tjera e kur kundërpërgjigja e progresistëve është e mefshët dhe jo aq agresive sa e antagonistëve, por në substancë e arritur packa se ende e papërcjellë si duhet.

E mesazhin për njerëzimin nuk mund ta jepte askush më mirë se francezët, që kanë afër 2 vjet që përfaqësohen në fjalimet e Presidentit Macron si kombi që propozon solidaritetin dhe mbrojtjen e vlerave njerëzore, e që tani e dhanë këtë mesazh në sytë e gjithë botës, aty ku të gjithë pamë futboll pa urrejtje e ku në fund, përtej “tifozllëkut” i uruam fitoren Francës.

Yjet e Francës janë ndoshta një nga brezat më të mrekullueshëm futbollistik që ka patur një kombëtare futbolli e ata në fakt, nuk janë të gjithë francezë, madje francezët numërohen ndoshta me gishtat e një dorë, e pjesa më e madhe rrënjët i kanë gjetkë. Këtu nis historia.

Franca ka qenë një nga shtetet që pati koloni e pushtoi shumë shtete të Afrikës e i mbajti popujt atje nën diktatin e vet për shumë vite. Pasi shtetet fituan sërish pavarësinë e tyre, për shkak të varfërisë dhe një zhvillimi të prapambetur, popujt atje synuan të linin tokën e tyre për të ndërtuar një të ardhme në Francë. E cili ishte argumenti francez në atë kohë i thënë me fjalë të thjeshta? “Do t’i pranojmë, sepse ne ishim ata që i pushtuam e i mohuam lirinë për shumë kohë!”

Pra francezët e kuptojnë shumë mirë rolin e tyre si qytetarë të botës, si njerëz që kanë përgjegjësi jo vetëm ndaj vendin të tyre, por ndaj kujtdo që do një dorë e një mundësi për të nisur e për të ndërtuar një jetë më të mirë. Francezët i pranuan prindërit e yllit Mbappe, prindërit e Pogbas, të Umtiti, Matuidi e shumë të tjerëve që vetëm një natë më parë luftuan për flamurin që bërtet “Vëllazërinë”. Franca jo vetëm i pranoi, por u dha atyre një mundësi për të krijuar mundësitë e tyre, për të ndërtuar një jetë, për të shkolluar e rritur fëmijët me vlerat e kulturën e shoqërisë franceze e i trajtuan si të barabartë mes të barabartësh në sytë e statujave mitike përgjatë Senës, që dëshmuan se si francezët manifestonin “Barazinë”. Para se brezi i këtyre lojtarëve të vinte këtu ku është sot, në Olimpin e futbollit, në faqen e arta të historisë së futbollit, francezët i vlerësuan këta “bythzinjtë” ( sic e etiketon rëndomë dora e parë e injorancës dhe analfabetizmit funksional kulturor këtu në vendin tonë), pa dallim, pa parë se ishin parizienë a marsejezë, por u dha atyre mundësinë të zgjidhinin, të luanin për kombin e tyre nga kishin rrënjët, apo të luanin për kombëtaren e shtetit që i priti, i rriti dhe investoi pa kursyer për ta. Francezët u dhanë atyre “Lirinë” për të zgjedhur.

E këtu jo vetëm që nuk ka vend për debat racist, apo racional sic e quajnë konservatorët, këtu debati është krejt tjetër. A mundet bota mbarë të ndjekë shembullin e Francës? A mundet bota mbarë të kuptojë se të drejtën për të jetuar e kemi njëlloj, të drejtën për të patur mundësinë e një jetë më të mirë e kemi të gjithë njëlloj? A mundet bota mbarë të reflektojë mbi përgjegjësitë e saj mbi gjithsecilin si qytetarë të botës? A mundet bota mbarë të kuptojë globalizmin, multilateralizmin e multikulturamlizmin me gjithë të mirat dhe problemet e veta që mund t’i zgjidhim të gjithë bashkë? A mundet bota mbarë të jetë krenare si Franca për Mbappen apo Zidane?

Franca nuk është vetëm Kampione e Botës në futboll, por Franca është Kampione e Botës në kulturë e Franca nuk harron kurrsesi, që sa herë arrin dicka, të manifestojë vlerat e vërteta që ka arritur e jo kostot me të cilat ka investuar.