Shpallje

Nga: Victor Davis Hanson

Pas takimit të fundit të G-7, disa kombe evropiane si Franca dhe Gjermania, u shprehën të zemëruara se pikëpamjet e tyre patën një përkrahje të pakët nga Donald Trump. Edhe në think-tanket e njohura mbi politikën e jashtme, një temë e vazhdueshme ka të bëjë me udhëheqësit europianë, që ankohen se përse Evropa nuk po respektohet më në në skenën botërore. Po pse vallë?

Në fund të fundit, nëse “Europa” përcaktohet nga anëtarësia e 28 anëtarëve të Bashkimit Evropian, atëherë duhet të jetë lehtësisht superfuqia e botës. Projekti europian, ka aktualisht një popullsi të përgjithshme (512 milionë), që lë në hije atë të Shteteve të Bashkuara (326 milionë). Madje edhe PBB-ja e saj (20 trilionë dollarë), është më e madhe se e Amerikës (19 trilionë dollarë).

Historikisht, gjeografia europiane ka qenë me një ndikim strategjik – me dalje në Atlantik, Balltikun dhe Mesdhe, lidhja e lashtë detare e tre kontinenteve. Roma është qendra e krishtërimit, deri më tani feja më e madhe në botë. Disa nga kombet e mëdha në botë – Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kili, Zelanda e Re dhe Shtetet e Bashkuara – lindën si koloni evropiane.

Rreth 2 miliardë njerëz flasin gjuhë europiane, duke përfshirë qindra milionë jashtë Europës, gjuha e parë e të cilave është anglishtja, spanjishtja, portugalishtja ose frëngjishtja. Prodhimet evropiane – Airbus, BP, Shell dhe Volksëagen – janë emra globalë. Franca pret çdo vit numrin më të madh të turistëve të botës.

Europa është në tërësi, më e vizituara se sa çdo komb tjetër ose zonë gjeografike – dhe kjo nuk është e habitshme, duke qenë se ajo ka qenë shtëpia e përparimeve më të rëndësishme të qytetërimit: indja e qytet-shteteve, shfaqja e republikanizmit romak dhe perandorisë së saj më vonë të globalizuar, Rilindjes, Reformimit, Iluminizmit dhe Revolucionit Industrial.

Shumë nga mendimtarët, shkrimtarët, shkencëtarët dhe politikanët më të mëdhenj në botë ishin europianë, nga Platoni, Sokrati Ciceroni, Oktaviani dhe Perikliu, deri tek Koperniku, Dante, Galileo, Da Vinçi, Njutoni, Shekspiri, Servantesi, Ajnshtajni dhe Çërçilli.

Po kështu, katastrofat më të mëdha në historinë botërore u zhvilluan në tokën evropiane:Vdekja e Zezë, gjenocidi i Stalinit në Rusi, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, dhe Holokausti. Edhe tradita ushtarake perëndimore, lindi në Europë, dhe po ashtu ushtritë më vdekjeprurëse të botës në histori – romake, franceze, gjermane – ishin të gjithë europiane, siç ishin komandantët më të aftë, nga Aleksandri i Madh dhe Jul Çezari, deri tek Napoleoni dhe Uellingtoni.

Pse atëherë liderët europianë, po ndihen gjithnjë e më shumë të parëndësishëm, pa besim në të kaluarën e tyre, dhe shpesh të injoruar nga fuqitë e mëdha? Në pjesën më të madhe të diplomacisë së nivelit të lartë, Europa është kryesisht spektatore. Revolucioni i teknologjisë së lartë që kreu Amazon, Apple, Google, Facebook dhe Microsoft, e shmangu Europën.

Gjykuar nga përcaktuesit e mëdhenj historikë të fuqisë civilizuese – karburanti, energjia, arsimi, demografia, stabiliteti politik dhe fuqia ushtarake – në Europë po pakësohet. Ajo po shpenzon vetëm 1.4 për qind të PBB-së së saj kolektive në mbrojtje.

Shumica e analistëve, arrijnë në përfundimin se edhe ajo që Europa shpenzon për sigurinë, nuk përkthehet drejtpërdrejti në gatishmëri ushtarake, të paktën në krahasim me ushtrinë amerikane. Dhe me një shkallë të lindshmërisë prej më pak se 1.6 përqind, Europa po zvogëlohet demografikisht dhe po plaket – prandaj Angela Merkel e sheh me sa duket e sheh emigracionin edhe si një zgjidhje për krizën e demografisë, dhe një furnizim të krahut të punës me kosto të ulët.

Ndërkohë Europa mbetet e ndërvarur nga Rusia, Azia Qendrore dhe vendet e OPEC-ut për shumicën e nevojave të saj energjetike. Në renditjet botërore të 20 universiteteve më të mira, vetëm njëri ishte një kontinental evropian; ndërkohë, 15 ishin amerikanë dhe 4 britanikë.

Politikisht, Bashkimi Europian nuk ka ditur të akomodojë si duhet bashkimin e popujve, gjuhëve dhe kulturave të ndryshme në një komb paneuropian

Rezultati është frustrimi dhe polarizimi, pasi BE po fragmenterizohet. Europiano-lindorë, ngrenë krye kundër presioneve nga Berlini dhe Parisi, dhe po fillojnë të refuzojnë hyrjen e çdo lloj myslimani nga Lindja e Mesme. Ndërkohë, europianët e Mesdheut e shohin barrën e tyre në përballimin e emigracionin masiv të paligjshëm, jo vetëm si të nënvlerësuar, por edhe si një shfaqje tjetër të një diktati financiar më të hershëm të Europës Veriore.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar është në prag të largimit. Në qendër të këtyre tensioneve rajonale qëndron Gjermania, vendi më i madh i BE-së, dhe me historinë më problematike. Në teori, Gjermania pohon se nuk është më dhunuesja e viteve 1871, 1914 dhe 1939. Në fakt, Berlini tregon pak durim me ata që kundërshtojnë planet e tij për t’u marrë me Brexit, emigracionin mysliman.

Sondazhet e fundit, tregojnë një rënie të përgjithshme të besimit tek Bashkimi Europian nga anëtarët e tij. Në disa vende, BE-ja nuk fiton shumicën e mbështetjes. Një etikë kontinentale e agnosticizmit, varësisë së shtetit, mungesës së fëmijëve dhe multikulturalizmit, e lë Europën veçanërisht të prekshme ndaj sfidave të jashtme të një lagjeje të rrezikshme, dhe flukseve masive të emigrantëve kryesisht myslimanë, teksa popullata e saj e zvogëluar, rrezikon të bëhet e paaftë për të mbështetur mirëqenien shtetërore, dhe pagesat e pensioneve të një popullsie të plakur.

Një zgjidhje amerikane për krizën europiane – liberalizimi, ulja e taksave, më shumë referendume dhe plebishite, rritja e shpenzimeve të mbrojtjes, grumbullimi i gazit natyror dhe i naftës, siguria kufitare – do të ishte e pamendueshme. Një kthesë e tillë do të ishte e kundërt me perceptimin vetë-vlerësues dhe të pretendimeve humanitariste të elitës evropiane, dhe do të sjellë një pranim kolektiv të dështimit.

Bashkimi Europian, ka mbetur me mitologjinë se vetëm pan-europianizmi e ka ruajtur së paku paqen për gati 75 vjet, periudha më e gjatë të qetësisë kontinentale të pandërprerë, që nga bashkimi i Gjermanisë më 1871. Një naivitet i tillë merr pak në konsideratë rolin e një NATO-je të drejtuar nga SHBA, dhe një Gjermania anormale, vendi më i madh dhe më dinamik i Evropës, si dhe kombi historikisht më agresiv, nuk zhvilloi armë bërthamore, ndërsa armiqtë tradicionalë të vijës së parë në dy luftëra botërore, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar po.

Duke konfirmuar se fuqia, dhe jo pretendimi për fuqi, e ruan paqen.

Zemërata europiane mbi Donald Trump nuk është, siç pohohet, sepse ai dhe kombi që e zgjodhën atë janë të vrazhdë, por sepse ai dhe vendi i tij janë të nevojshëm më shumë se kurrë, për një kontinent që ka humbur rrugën e vet. / “Hoover Institute”