Shpallje

Prof. Dr. Besnik GJONGECAJ, Prof. Dr. Seit SHALLARI

 Maturantë! Përqafoni Programin e Ri Bachelor “Manaxhimi i burimeve natyrore – Natural Resources Management”.

Programin e rinisë!

Është viti i parë që në Universitetin Bujqësor të Tiranës – universitetin më të vjetër publik të Shqipërisë, Departamenti i Mjedisit dhe Ekologjisë hap drejtimin e studimit “Manaxhimi i burimeve natyrore – Natural Resources Management” dhe fton maturanët nga katër anët e vendit të përfshihen në një nga programet më serioz, më modern, më sfidues dhe më pragmatist njëkohësisht, të studimeve universitare në Shqipëri.

Program serioz – sepse është përgatitur nga një Departament që ka më shumë se njëzet kërkues shkencorë të nivelit Prof. Dr., të kualifikuar në Shqipëri, Europën Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut, të cilët i kanë kushtuar jetën studimit të shkencave të mjedisit! Ky ekip përbën fuqinë më të madhe akademike në fushën e mjedisitnë Shqipëri. Ekipi i profesorëve shoqërohet nga një ekip tjetër kërkuesish shkencorë të rinj në proces kualifikimi, si dhe nga specialistë që merren çdo ditë me realizimin e analizave laboratorike në funksion të zgjidhjes së problemeve mjedisore kudo ku ato shfaqen në Shqipëri. Për çdo modul do të gjeni një tekst universitar të përgatitur në standardet më të larta profesionale.

Program modern – sepse në qendër të tij janë vendosur burimet natyrore dhe përdorimi i qëndrueshëm i tyre, gjë që është edhe problemi më ekzistencial që kanë sot shtetet, kombet; krejt shtëpia jonë: planeti Tokë. Zgjidhjet e sotme përcaktojnë të ardhmen e planetit Tokë dhe kjo e bën shkencën e burimeve natyrore një shkencë që i takon rinisë!

Program sfidues – sepse te ky program formulat e ftohta të mathematikës, njësitë “pa shprehje” të fizikës, kimisë, biologjisë, marrin jetë dhe shndërrohen në kauza të mëdha të vetë ekzistencës së njerëzimit. Nuk ka individ, shoqëri, shtet, komb, që nuk mendon sot për mjedisin dhe burimet natyrore, si dhe për zgjidhjen e çdo problemi brenda standardeve të lejueshme për to.

Program i të ardhmes– sepse i gjithë tregu i punës në Perëndim, por edhe në Shqipëri, po orientohet çdo ditë e më shumë drejt mbrojtjes së mjedisit dhe ruajtjes e zhvillimit të burimeve natyrore.  Asnjë aktivitet shoqëror dhe shtetëror nuk mund të zhvillohet pa specialistin e mjedisit: në kompani private, në shoqata joqeveritare, në pushtetin lokal, në pushtetin qëndror, në financa, në turizëm, në arsim, në universitete. Specialisti i mjedisit dhe burimeve natyrore është aty, kudo, për të treguar kufijtë mjedisorë të zgjidhjes së çdo problemi të lindur!

Diplomë e njohur në të gjithë botën dhe mundësi për studime në vëndet e BE. Më shumë informacion do të gjeni në faqen online të UBT/Menaxhim i Burimeve Natyrore.