Shpallje

Nga Mentor Kikia

Në selinë e qeverisë dolën sërish sot njerëzit që kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre, pasi kanë denoncuar apo e kanë prenzatuar problemin në portalin e bashkëqeverisjes. Falenderimet e tyre kane qenë shpesh tej çdo serioziteti, duke marrë tone komike. Gratë që lavdërojnë portalin janë bërë si ato gratë që reklamojnë në televizor tenxheren “Delimano”, dyshekët apo xhelin që të shëron dhimbjet e mesit dhe kyçeve.

Përtej këtyre teprimeve, ajo që është për tu parë seriozisht, nuk është zgjidhja e problemit, por makineria e ndryshkur burrokratike që shkakton problemin. Sot kishte shpërthyer në humor përqafimi që një grua i bënte kryeministrit, sepse gjeti zgjidhje për pronat e saj, pasi prej vitesh e zvarrisnin në hipotekë. Le të jemi me këmbë në tokë. Çdokush do e kishte përqafuar kryeministrin, nëse do të kishte gjetur zgjidhje për një problem që ia ka nxirë jetën 5 vjet rresht.

Jo të regjistrosh pronën, por edhe të ç’regjistrosh makinën e vjetër duhet të endesh zyrë më zyrë. Një copë letër, dikush e shkruan, dikush e firmosë, e dikush ta vulos. Më pas duhet ta fotokopjosh, ta noterizosh, dhe tia dërgosh dikujt tjetër, apo atij të parit që e shkruajti….Shtoji edhe korrupsionin kësaj makinerie torutuese…

Pra, përtej notave të humorit, ata njerëz kanë të drejtë të ndjehen të çliruar. Por, ashtu siç qeveria prezanton njerëzit që kanë mbaruar punë nga portali, duhet të tregojë se çfarë u ndodh zyrtarëve që ia kishin nxirë jetën kësaj gruaje. Mos vallë duhet të mendojmë se shpresa e vetme në këtë vend është portali?

Nëse është një mundësi për të zgjidhur problemin, ai duhet të jetë edhe një mundësi për ti treguar vendin të paaftëve dhe maskarenjve.