Shpallje

Komisioni Europian këshillon qeverinë shqiptare të vazhdojë politikën e uljes së borxhit publik dhe kredive të këqija duke përfituar nga momenti pozitiv i ekonomisë.

Në vlerësimin e fundit për ekonomitë e vendeve kandidate, komisioni vëren se rritja ekonomike e Shqipërisë u përshpejtua më tej në gjysmën e parë të këtij viti, e mbështetur nga investimet e huaja dhe rritja e konsumit të brendshëm.

Ekonomia shqiptare u rrit me 4.4% në tremujorin e parë të vitit 2018. Kjo përbën rritjen 3mujore më të lartë në tre vjet e gjysmë.

Sipas komisionit, rimëkëmbja e ekonomisë është shoqëruar me rritje të punësimit, veçanërisht në sektorin privat jobujqësor, ku numri i të punësuarve u rrit me 12.2% krahasuar me një vit më parë. Por ky përmirësim i situatës ekonomike, sipas komisionit, duhet të shfrytëzohet nga qeveria për të ulur më shpejt borxhin e lartë publik dhe kreditë e këqija, dy tregues problematikë për Shqipërinë.