Shpallje

“Burberry”, marka luksoze britanike e modës, ka shkatërruar rroba të pashitura, aksesorë dhe parfume me vlerë 28.6 milionë paundë, ose mbi 32 milionë euro vitin e shkuar, me qëllim mbrojtjen e emrit të tij.

Vlera totale e mallrave të shkatërruar në pesë vitet e shkuara, ndërkohë shkon në më shumë se 90 milionë paundë ose më shumë se 100 milionë euro. Kompanitë e modës, përfshirë “Burberryn”, shkatërrojnë mallrat e padëshiruara me qëllim që ato të mos vidhen apo të shiten me çmime më të lira. “Burberry” tha se energjia e gjeneruar nga djegia e produkteve të tij, nuk ishte çuar dëm çka e kish bërë procesin miqësor me ambientin.

“Burberry ka vepruar me qëllim që të minimizojë sasinë e stoqeve të mbetura të prodhuara nga ne. Në disa raste, kur asgjësimi i produkteve është i nevojshëm, ne e bëjmë këtë në mënyrë të përgjegjshme dhe vazhdojmë të kërkojmë mënyra për të reduktuar dhe rivlerësuar eksesin”, tha një zëdhënës i kompanisë. Gjatë pesë viteve të fundit, Burberry ka punuar shumë për ta bërë emrin e tij edhe një herë ekskluziv pasi kaloi përmes një faze në të cilën falsifikuesit ngjisnin markën “Burberry” mbi gjithçka që mundeshin. Dhe shkatërrimi i produkteve të padëshiruara është pjesë e këtij procesi.