Shpallje

Marco Tronchetti Provera lëshon bombën e merkatos. Në një intervistë për të përditshmen torineze Tuttosport, administratori i përgjithshëm i Pirellit( sponsorit të Interit mbi fanellë prej pothuajse 2 dekadash) dhe njëkohësisht tifoz i zjarrtë i klubit zikaltër, pyetjes së si mund t’i përgjigjet Interi, Juventusit që gjatë kësaj vere ka transferuar në Torino Cristiano Ronaldon i është përgjigjur shumë thjeshtë: “Duke blerë Lionel Messin”.

Një mision i pamundur në dukje por në futboll kurrë nuk thuhet kurrë sepse edhe kalimin i Ronaldos te bardhezinjtë para 1 muaji tingëllonte gjithashtu si një tjetër mision i pamundur. Me intervistë të tijën Tronchetti Provera ka bërë të ëndërrojnë tifozët e Interit të cilët presin një dhuratë të madhe nga pronarët e tyre kinezë të Suning Group, dhe dëshirojnë që ajo dhuratë të jetë pikërisht ylli argjentinas i Barçës.

Messi nuk ka ndërmend të largohet nga Barcelona por Interi i ka pëlqyer gjithmonë si klub pasi ndër vite ka patur një lidhje të ngushtë me lojtarët argjentinas dhe nuk do të ishte aspak çudi që për t’iu kundërpërgjigjur rivalit të tij të madh CR7-ës të transferohej te zikaltrit në një të ardhme të afër, për të treguar veten dhe të gjitha vlerat e tij në një skuadër që nuk quhet Barcelona dhe një një kampionat si Serie A.

“Shpresoj që Suning të zgjidhë sa më shpejtë të gjitha problemet që ka Interi me fair-play financiar dhe të bëjë një goditje të madhe në merkato dhe unë si tifoz do të dëshiroja padiskutim Messin në ekip”, deklaroi Torchetti Provera për Tuttosport. Lionel Messi te Interi është një dëshirë e vjetër edhe ish presidentit të zikaltërve Massimo Moratti i cili tentoi ta transferonte 5-herë fituesin e Topit të Artë në Milano në sezonet 2008 dhe 2009, por në atë periudhë Messi kurrësesi nuk dëshironte të largohej nga Barcelona, ndërsa tashmë në moshën 31-vjeçare dhe pasi ka fituar gjithçka me blaugranat mund të provojë pse jo një aventurë të re.