Shpallje

Për herë të parë në historine 27 vjeҫare, post-komuniste të Shqipërisë, organi i akuzës i sekuestron pronat një ish kryeprokurori të Përgjithshëm. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në një njoftim për shtyp bën me dije sot ( 23.07.2018) citoj se” si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, janë krijuar dyshime të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla përbëjnë produkt të veprës penale”. Njoftimi i Prokurorisë thekson se Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë, pranoi kërkesën e Prokurorisë, për vendosjen e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e paluajtshme të ish- Kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Akuza për pastrim parash në përmasa të mëdha
Pasuritë nën sekuestro preventive janë 22.050 m² tokë arë në Tiranë dhe një apartament banimi në Durrës me sipërfaqje 67.2 m² . Vendimi i Prokurorisë vjen pas më shumë se 5 muaj hetime ndaj Llallës, “për pastrim parash në përmasa të mëdha”. Në njoftimin për shtyp të Prokurorisë bëhet me dije se citoj “ka dyshime që pasuritë e Adriatik Llallës janë të pajustifikuara. Vlera e tregut e pasurive të paluajtshme kap shifrën e 98 milion dhe 772 mije lekë”. Me kursin aktual të këmbimit Lek/Euro kjo shumë është afërsisht rreth 800 mijë Euro.

Në listën e zezë të Depatamentit Amerikan të Shtetit
Një muaj para se organi i akuzës të niste hetimet për pastrim parash në marsin e shkuar, ishte Departamenti Amerikan i Shtetit që u parapriu hetimeve kur mori vendimin në shkurt 2018 që ish-kryeprokurori dhe familja e tij të futeshin në listën e zezë dhe të mos u lejohet hyrja në SHBA për shkak të përfshirjes së tij në raste të mëdha korrupsioni kur ka qenë në detyrë. Adriatik Lalla erdhi në krye të Prokurorisë në fillim të vitit 2012 dhe qëndroi deri në mbyllje të mandatit 5 vjeҫar, më 3 dhjetor 2017.

Media- botim i fakteve, transparencë e pastrimit të parave dhe korrupsionit
Hetimet filluan kur media bëri transparente për publikun fakte dhe dokumenta zyrtare që tregonin për shitblerje tokash, ullishtesh në sipërfaqje të mëdha. Formula e pastrimit të parave ishte: blej shumë lire, bëj më pas rivlerësimin e tokave të blera, shiti 20-30 herë më shtrenjtë. Dokumentat zyrtare të botuara në median e Tiranës treguan për transaksione financiare të ish-kryeprokurorit me persona me precedentë penalë që lidhen me krime të rënda.

Rezultate domethënëse në luftën kundër korrupsionit

Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, nuk i është nënshtruar vettingut të prokurorëve. Para se të fillonte vetting-u ai deklaroi largimin vullnetar nga sistemi i drejtësisë. Por kjo nuk e pengoi drejtësinë që të mos e hetojë atë. Sekuestrimi i pasurive të patundshme është një sinjal pozitiv që lufta kundër korrupsionit do të përfshijë edhe të ashtuquajturit “të paprekshëm” apo “peshq të mëdhenj”. Është paradoks sesi për 5 vjet kreu i akuzës që duhet të drejtonte luftën kundër korrupsionit po hetohet ne bazë faktesh për korrupsion, pastrim parash dhe ka të sekuestruar pasuritë e tij të paluajtshme.

Hetimi i tij i paanshëm dhe profesionist është një gur prove për reformën në drejtësi. Llalla do të gjykohet nga gjyqtarë që kanë kaluar në sitën e vettingut. Nëse rasti i tij do të ndiqet edhe nga ish-pushtetarë apo pushtetarë aktualë për të cilët hidhen dhe priten akuza për korrupsion të pavërtetuara, që ndizen dhe fiken sipas politikës së ditës, atëhere Shqipëria do të ketë argumenta se Shqipëria po arrin rezultate domethënëse në luftën kundër korrupsionit. Me të tilla rezultate do të mund të binden pas një viti shtetet skeptike të BE, si Franca dhe Hollanda që Shqipëria ka bërë progres në atë shkallë sa meriton të nisë në qershor 2019, negociatat e pranimit në BE./DW