Shpallje

Përpos debateve të nxheta të ditëve të fundit për ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe ngërcin që ka kapluar gjyqësorin shqiptar, ka dhe një tjetër problem i cili duhet t’i shqetësojë shqiptarët më së shumti sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me paratë e tyre që shpenzohen nga buxheti i shtetit për ndërtimin e rrugëve në të gjithë vendin.

Ka ndodhur shumë shpesh vitet e fundit se investimet më të mëdha në infrastrukturë përsa i përket vendit tonë, janë bërë me paratë e privatit dhe rrugët janë dhënë me koncension. (Kujtojmë: Rruga e Arbrit, Rruga Thumanë-Kashar dhe Rruga Milot-Balldren si shembujt më të fresktët) Kjo është një praktikë e njohur gjerësisht. Privati bën investimin me paratë e veta dhe më pas shteti paguan privatin për një kohë të caktuar dhe me një shumë vjetore e cila vendoset në kontratë.

Ajo cfarë shqetëson më tepër është fakti se shqiptarët duhet të paguajnë shuma marramendëse për rrugë të cilat nuk i kalojnë as 50 kilometrat. Më poshtë do të gjeni një pasqyrim të cmimeve që do të duhet të paguajnë taksa-paguesit shqiptarë, respektivisht për Rrugën Thumanë-Kashar dhe për Rrugën Milot-Balldren:

Rruga Thumanë-Kashar:

Gjatësia: 20.8 km
Kostoja: 225.8 milionë euro
Kohëzgjatja e pagesës: 13 vjet
Kostoja përfundimtare: 337.5 milionë euro
Cmim/kilometër: 16.2 milionë euro/kilometër

Qytetarët shqiptarë nuk do të paguajnë vetëm 225.8 milionë euro për rrugën Thumanë-Kashar, por shumë më tepër.

Kontrata nga Ministria e Infrastrukturës tregon se kostoja totale mund të shkojë deri në 337.5 milionë euro, duke përfshirë interesat dhe tarifën shtesë që do i paguhen kompanisë për mirëmbajtjen e rrugës për 13 vjet.

Vlera prej 225.8 milionë eurosh e bërë publike në tender është vetëm kostoja e ndërtimit të rrugës. Por meqenëse kjo vepër do të ndërtohet me fondet e vetë kompanisë, përveç vlerës bazë qeveria do t’i paguajë asaj edhe një interes vjetor prej 5.2 për qind si dhe një tarifë shtesë për mirëmbajtjen e rrugës gjatë 13 viteve të ardhshme.

Rrjedhimisht në total kostoja e rrugës pritet të shkojë deri në 337.5 milionë euro, siç është vendosur në shpalljen e kontratës. Rruga Thumanë-Kashar është vetëm 20.8 kilometra e gjatë. Kjo do të thotë se qytetarët shqiptarë do të paguajnë 16.2 milionë euro për çdo kilometër të kësaj rruge duke përfshirë interesat dhe mirëmbajtjen për 13 vjet.

Rruga Milot-Balldren:

Gjatësia: 17.2 km
Kostoja: 161.5 milionë euro
Kohëzgjatja e pagesës: 13 vjet
Kostoja përfundimtare: 217.3 milionë euro
Cmim/kilometër: 12.7 milionë euro/kilometër

Qeveria hapi zyrtarisht tenderin për koncesionin e tretë të madh të programit 1 miliardë euro. Pas Rrugës së Arbrit dhe autostradës Thumanë-Kashar, projekti i radhës që do të jepet me koncesion është rruga Milot-Balldren.

Ky segment është 17.2 kilometër e gjatë dhe ka një kosto ndërtimi 161.5 milionë euro. Por duke përfshirë me mirëmbajtjen dhe interesat që shteti do I paguajë kompanisë private për 13 vjet, fatura totale e rrugës mund të arrijë deri në 217.3 milionë euro ose 12.6 milionë euro për një kilometër.

Pra nqs bëjmë një shumatore të kostos së dy projekteve të dhëna me koncension: 554.8 milionë euro për 38 kilometër rrugë me një mesatare cmimi/kilometër prej 14.2 milionë euro.

Por le të krahasojmë pak cmimin për kilometër të studiuar mbi kostot e rrugëve të vendeve më në zë të botës kur vjen fjala tek ndërtimi i një rruge me standardet më të larta teknologjike. (Kjo nuk ndodh në vendin tonë, por artikulli merr parasysh sikur cdo gjë të shkonte në një rrjedhë ideale)

***Këto janë cmimet mesatare që paguajnë vendet më të fuqishme evropiane për të ndërtuar 1 kilometër rrugë. Të dhënat janë marrë nga portali i njohur mbarëbotëror: WorldHighways.com

Pra është e dukshme se në Shqipëri taksa-paguesit paguajnë minimalisht 1.4 milionë euro më shumë se cdo taksa-pagues austriak (sjellim në kujtesë GDP e Austrisë 386.4 miliardë dollarë – plot 32.4 herë më të madhe se e Shqipërisë 11.93 miliardë dollarë). Gjithashtu taksa-paguesit shqiptarë kanë luksin të paguajnë afro dy-fish më shumë se cdo taksa-pagues gjerman për 1 kilometër rrugë.

Minimalisht shqiptarët meritojnë një shpjegim për këto cmime marramendëse për ndërtimin e këtyre rrugëve të cilat kujtojmë se janë në periferi të qyteteve dhe jo në qendra të banuara ku dhe cmimi do të rriteh natyrshëm.