Shpallje

Shkruan Arbër Zaimi

Adem Demaçi, mishërimi i qëndresës shqiptare, veprimtari i pathyeshëm çlirimtar, i burgosuri politik, intelektuali e shkrimtari guximtar, tribuni popullor, do të mbetet frymëzim për cilindo shqiptar që dëshiron t’i hyjë rrugës vetësakrifikuese për emancipimin e popullit tonë, luftës e përpjekjes gjer në barazi me popujt e tjerë. Një ndër pikat kulmore të qenies shqiptare, e të asaj njerëzore.

Trishtim i thellë. U shua një trup i vogël e mbeti përjetë në histori një shpirt vigan. Adem Demaçi iku në një kohë kur Kosovës i duhen shumë, por nuk po gjen dot, njerëz si ai. Në kohët kur tradhtia është “demokratizuar”, e kur shit-blerja e njerëzve dhe parimeve imponohet si “normalitet”, të paepurit si ai janë fanari ynë i vetëm.

Lavdi e jetës dhe veprës së tij, i paharrueshëm sa të jenë gjallë shqiptarët!