Shpallje

100 autoambulanca të Urgjencës Kombëtare janë pajisur me mjete të reja jetë – shpëtuese. Lajmin e beri te ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë aktivitetit “Modernizimi i Urgjencës Kombëtare”, duke shtuar se kjo e ngre në një standard të ri shërbimin e urgjencës në territor.

“Prezantojmë sot një risi sa i takon shërbimit të urgjencës paraspitalore. 100 autoambulanca në territor janë pajisur me sete mjekësore moderne, me të gjitha mjetet e reja jetëshpëtuese, duke filluar nga setet për traumën, setet e intubimit, sete medikametesh, sete mjekimi, aparaturat për matjen e parametrave jetësorë, duke garantuar një standard të ri shërbimi për qytetarët”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja tha se brenda vitit do të rritet numri i autoambulancave në territor.

“Brenda vitit do të kemi 32 autoambulanca të reja, moderne, plotësisht të pajisura me mjetet jetëshpëtuese -defribilator, bombola oksigjeni, aspirator, etj- që padyshim do të sjellin një cilësi të re shërbimi për qytetarët”, vijoi ministrja.