Shpallje

Meqënëse një koment i djeshëm në “Facebook” mbi dasmat dhe demonstratat në Kosovë shkaktoi disa reagime në rrjetet sociale dhe nëpër portale, ia vlen të ndalemi pak më gjatë me të. Çiftet e dashuruara që po martohen këtë verë, dhe familjarët e tyre, nuk jetojnë në ishuj të izoluar e të ndarë nga shoqëria. Ndikimi i sferës publike në atë private, dhe anasjelltas, janë të pashmangshme. Mjafton të analizojmë elemetin e flamurit kombëtar që shpesh shoqëron karavanet e veturave të dasmorëve në Kosovë. Nëse, siç pretendojnë disa, dasmat janë “çështje private”, atëherë ç’punë ka në një dasëm flamuri kombëtar, i cili mbahet dhe valvitet publikisht nga dasmorët, edhe pse ky flamur na përket të gjithëve?! Argumentet për mënyrën se si dasmat janë jo vetëm ceremoni që kurorëzojnë ndjenja personale, por edhe akte publike dhe politike – në kuptimin më të gjerë të fjalës që shpjegonte dhe Aristoteli – janë të shumta për t’u trajtuar në këtë shkrim. Mjafton të themi se ata që mendojnë se dasma qenka vetëm “çështje private” bejnë mirë t’i kthehen pak leximeve dhe reflektimit. Ndërkohë, le t’i kthehemi në vijim edhe një herë dasmave dhe kontributit për demonstrata.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vitin e kaluar janë organizuar mbi 17,000 kurorëzime në Kosovë, dhe pritet që këtë vit numri të jetë i përafërt, edhe pse pak më i vogël. Mund të thuhet se mesatarisht në një dasëm në Kosovë marrin pjesë rreth 200-250 dasmorë, me shpenzime që shkojnë nga 6,000 në 30,000 Euro për dasëm (mesatarisht rreth 10,000 Euro). Marrë parasysh statistikat, dasmat kanë pa dyshim një impakt të drejtpërdrejt publik në jetën socio-ekonomike të vendit, dhe jeta politike e vendit ka një ndikim të drejtpërdrejt mbi dasmat. Kujtojmë se periudha menjëherë pas luftës në Kosovë u karakterizua me një shpërthim entuziazmi mbarëpopullor, dhe u reflektua në kurorëzime e dasma të shtuara anembanë vendit. Sakaq, në vitet e fundit, gjithnjë sipas ASK-së, numri i kurorëzimeve ka ardhur gradualisht duke rënë nga pak, dhe kjo nuk mund të jetë thjesht rastësi! Largimi i shumë të rinjve, gjendja ekonomike e sociale, dhe zhvillimet politike në vend e kanë ulur entuziazmin, dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në sferën private të njerëzve. Sigurisht që ka ndryshuar pak edhe kuptimi mbi martesën, dhe njerëzit po martohen, në përgjithësi, në moshë më të pjekur, por ndikim i këtij faktori është i papërfillshëm në raport me ndikimin që ka patur mbi entuziazmin shoqëror gjendja e rëndë ekonomiko-politike në Kosovë.

Meqenëse dasma nuk është thjesht një ceremoni private, pasi ajo shpallet dhe festohet publikisht, bashkë me simbolet dhe domethëniet socio-politike që e shoqërojnë atë; meqenëse urimi më i shpeshtë në dasëm është “u trashëgofshi”, atëherë nuk ka asnjë arsye përse ceremonia e dasmës të kryhet pa një vetëdije politike mbi publiken dhe shoqërinë, dhe mirëqenien e brezit të ri në të ardhmen. Pa qënë aspak ironik apo cinik, në mënyrë të ftohtë dhe racionale, një llogari e shpejtë na tregon se po të mblidheshin në demonstrata vetëm 10% e njerëzve që po marrin pjesë nëpër dasma sivjet në Kosovë, numri i protestuesëve do të shkonte në mbi 300,000. Nga sondazhet dihet se numri i qytetarëve që janë shumë të pakënaqur me zhvillimet në vend është shumë herë më i madh se kaq. Nga ana tjetër, për të arritur ndryshimin, do mund të mjaftonte angazhimi në demonstrata edhe vetëm i çerekut të 10% të dasmorëve të këtij viti.

Dikush është çuditur nga fakti që demonstratat kanë shpenzime. Është e vërtetë që demonstratat mund të bëhen nga një herë edhe pa mjete financiare, në mënyrë krejt spontane, Por raste të tilla janë tepër të rralla, nuk zgjasin, dhe përvoja tregon se përgjithësisht nuk kanë efektet e dëshiruara pa një organizim dhe një logjistikë të mirë dhe të qëndrueshme nga mbrapa. Në një demonstratë nevojitet komunikim me publikun, transport (autobusë të organizuar dhe vetura), etj. Kush synon ndryshime të domosdoshme shoqërore, nuk ia lë këtë gjë në dorë fatit dhe spontanitetit. Për një demonstratë që grumbullon 30,000 njerëz në Prishtinë shpenzimet shkojnë rreth 10,000 – 15,000 Euro (sa një dasëm në Kosovë). Ndërkohë që një kursim i vogël nga secila dasëm, do të mund të siguronte të ardhura që do mbulonin dhjetra mobilizime shoqërore dhe demonstrata të cilat hapin mundësinë për ta nxjerr Kosovën nga kriza e thellë ku e kanë futur sundimtarët e saj.

Për ata që ende mendojnë se demonstratat nuk janë zgjidhja, dhe se në Kosovë zgjidhja do vijë nga drejtuesit aktualë të institucioneve, mund të themi se, në rastin më të mirë, janë duke mashtruar veten. Linja politike që po ndjekin sundimtarët e Kosovës jo vetëm mirëmban një regjim të dhunës së strukturuar dhe të drejtpërdrejt ndaj qytetarëve, jo vetëm e ka zhytur vendin në varfëri, por edhe po vë në pikëpyetje të ardhmen e shtetit të Kosovës. Nësë populli nuk mobilizohet këtë vjeshtë për t’i rrëzuar këta sundimtarët nga froni, për ta shpëtuar Republikën dhe shtetin, vitin tjetër mund të jetë bërë tëpër vonë. Mobilizimi i madh shoqëror për dasma, tregon se në Kosovë nuk mungon as mundësia, as vullneti dhe as mjetet për organizime masive popullore. E gjithë çështja qëndron te kanalizimi i një pjesë të kësaj energjie shoqërore edhe në drejtim të transformimeve politike.

Nuk ka shtet që është formuar dhe mbrojtur pa sakrifica. Për më shumë, asnjë e drejtë qytetare nuk është fituar duke menduar e vepruar vetëm në sferën private e duke harruar të përbashkëtën. Dhe, asnjë e drejtë nuk fitohet thjesht me “spontanitet”, pa planifikim dhe organizim. Dasmat janë ceremoni sa private aq edhe politike. Në situatën kritike në të cilën ndodhet Kosova, ata që ia duan të mirën këtij vendi nuk mund të mos mendojnë edhe për kontektstin më të gjërë shoqëror e politik në të cilin zhvillohen ceremonitë e shumta të dasmave. Për t’i dhënë fund regjimit që sundon në Kosovë, jo vetëm angazhimi i drejtpërdrejt politik por edhe dasmat duhen bërë me vetëdije të lartë shoqërore për të sjell ndryshimin. Le ta hedhim pra vallen në dasma këtë verë, duke u bërë gati për vallen e madhe të demonstratave në shesh.

Shkrim nga Boiken Abazi