Shpallje

Nga Marjon Gorica/Vitet e fundit më është dashur të udhëtoj shpesh në zonat rurale të Shqipërisë, për shkak të shumë angazhimeve personale. Kudo, nga veriu në jug kam parë të rinj të cilët enden rrugëve, ose merren me ndonjë punë në bujqësi. Punë momentale e cila nuk i siguron atyre asgjë për të ardhmen, madje është akoma më keq.

Para se të shkruaja këtë reagim timin, kam parë nga afër disa prej zonave të thella të Beratit, Tepelenës, Korçës, Kukësit dhe Shkodrës.
Kam takuar të rinj të pa punë. Të rinj të cilët me sakrificë kanë mbaruar ndonjë shkollë të mesme dhe asgjë më tepër.

Për fat të keq, sot po na rritet një brez i cili nuk e njeh punën. Punën si në mënyrë fizike, po ashtu dhe në anë ligjore. Të rinj të cilët nuk do të mund të kuptojnë në të ardhmen se çfarë është pensioni, pasi ata nuk sigurohen. Ata nuk paguajnë sigurimet shoqërore apo shëndetësore. Janë pikërisht këta të rinj që sot janë të pa informuar rreth një çështje të tillë. Mbase brezi i prindërve të tyre, mund të jetë i fundit që do të shijoj pensionin, e kjo prej viteve të komunizmit. Disa duke përfituar nga angazhimet që ju krijoheshin nëpër koperativa, e disa nëpër punë dhe funksione të tjera. Por që sot, kjo gjë mungon.

Ardhja e sistemit demokratik, solli disa problematika të cilat për fat të keq do të ndikojnë në brezat pas ardhës. E një fakt ja ku është.

Sot një i ri i moshës 25 vjeç, i cili nuk paguan sigurimet shoqërore dhe shëndetsore, pas 40 vitesh, kur të jetë në moshën e tretë, për të kaluar vitet e pleqërisë, do ta ketë të pa mundur jetesën. Do ta ketë të pa mundur pasi nuk përfiton një pension.

Ndaj është koha që brezin e ri, në cilin do fshat të Shqipërisë ta orientojmë drejt tregut të punës. Po si bëhet kjo?

Kjo bëhet duke arritur t’i tregojmë atyre që të zgjedhin të shkollohen, duke pasur prioritet arsimin profesional. Në mënyrë të tillë, duke pasur një profesion ka mundësi të punësohen, të garantojnë sigurimet shoqërore, dhe e kanë më të lehtë lëvizjen nga fshtarat drejt qytetit.

Nëse dikush që vjen nga një fshat i thellë i Shqipërisë, në qytet, për tu vendosur për të jetuar aty, e para do të ketë të pa mundur gjetjen e një pune.

Dhe ndryshe do të jetë situate nëse ky i ri ka një njohje profesionale.

Ndaj mos neglizhoni arsimin profesional, është më i domosdoshmi në një kohë të tillë.