Salla koncertale në Prishtinë

arch. Ylber Vokshi – Ylli

Sa shumë herë e kamë potencuar rëndësinë e identitetit urban të një vendbanimi apo të një qyteti, shumë pak i trajtuar në tërë Kosovën. Ai ma së miri identifikohet me objektet,të cilat çdo shoqëri në mënyrë institucionale i ruan,për të treguar dhe dokumentuar lashtësinë e vet. Ne mu këto vlera historike dhe arkitektonike i kemi zhdukur përpara,e të njëjtën gjë jemi duke bërë edhe në njëzetë vjetshin e parë të shekullit 21,si në rastin e propozimit për lokacionin e sallës koncertale në Prishtinë. Sa lehtë e anashkalojmë e harrojmë ekzistencën tonë në këto hapësira, gjithnjë nuk e kemi vlerësuar të kaluarën tonë.

Ide të tilla për ndryshimin e lokacionit të objektit të Teatrit të operës dhe baletit të Kosovës kishte edhe ma parë,nga garniturat e kaluar në Ministrinë së Kulturës. Të pa aftë me vazhduar projektin e filluar së ndërtuari që në vitin 2009,lansuan idenë absurde se lokacioni i objektit duhet me qenë në qendrën e ngushtë të kryeqytetit, aty ku ekziston objekti i shtëpisë së mallrave ish-Gërmija, të cilin “ekspertët” tanë e adaptuan në hapësira administrative – zyre.

Në mungesë të argumenteve kjo ide iu dështoi,për ta ringjallur prapë në kohën e fundit në muajin korrik 2018, kur në një punëtori u vendos që të ndërtohet një “salla koncertale” polivalente që do të plotësonte kërkesat për artin skenik, muzikor, baletin dhe operën në Kosovë. U vendos që lokacioni i kompleksit të jetë në qendrën e ngushtë të kryeqytetit,në hapësirën para Teatrit Kombëtar,aty ku sot ekziston objekti i shtëpisë së mallrave.

Një fakt duhet ta kenë të qartë të gjithë se aktivitetet operistike dhe kapacitetet përcjellëse për funksionimin e saj, as përafërsisht nuk munden të plotësohen në një sallë polivalente koncertale si po mendojnë disa “ ekspert “ të gjithëdijshëm. Mendime të ngjashme kemi edhe në radhët e politikës,muzikantëve dhe arkitektëve, që në realitet tregojnë mos dije elementare,është gabim trashanik i pa falshëm nëse ndërmerret dhe realizohet kjo ndërmarrje tërësisht e gabueshme.

Haptas kisha kundërshtuar këtë çmenduri institucionale të asaj kohe (mars 2015),me shkrime autoriale si dhe me prononcime publike në media të shkruara,ato televizive dhe elektronike. Disi kjo çështje u harrua përkohësisht,për tu aktualizuar ma seriozisht pasi Komisioni Evropian përmes fondeve IPA ka premtuar afro 16 milion euro për financimin e projektit. Atë duhet trajtuar seriozisht,pa nguti pasi ai është i një rëndësie të veçantë për funksionimin e mirëfilltë të kulturës tanë. Për të fituar një objekt reprezentativ pjesëmarrja financiare e shtetit tonë është e domosdoshme,e jo të ndahen vetëm 250 mijë euro nga komuna e Prishtinës, ku është MKRS ?

Në krahasim me herën e kaluar,është inkurajues fakti se këto ditë ka shumë ma shumë reagime konstruktive nga profesionistët,shoqëria civile dhe qytetarët e thjeshtë, që kërkojnë me të drejtë të mos rrënohet objekti i shtëpisë së mallrave. Është duke u nënshkrua edhe një peticion, që në rrethanat tona fare nuk merret në konsideratë edhe se është mjet i avancuar demokratik i shprehjes së pakënaqësisë qytetare.

Caktimi i lokacionit nuk bëhet sipas tekeve të individëve apo grupeve të interesit,si ka ndodhur tek ne në shumë raste. Duhet ma në fund vendimmarrësit tanë me e pasur të qartë se ato përmbajtjet urbane definohen në Dokumentet Hapësinore të mirëfillta, të cilat kanë munguar deri me tani në Prishtinë.

Është jashtë çdo aftësie profesionale të caktohen lokacionet e objekteve të rëndësishme,pa iu referuar dokumenteve ekzistuese hapësinore dhe urbane të Komunës, të cilat edhe duhet rifreskuar kohë pas kohe, pasi sot aplikohet planifikimi hapësinor dhe urban strategjik, ku fleksibilitet dhe rehabilitimet urbane për zonat e caktuara të qytetit janë të domosdoshme.

Nga ajo punëtori janë ofruar dy opsione për realizimin e sallës koncertale në qendër të Prishtinës. Njeni opsion është të shikohet mundësia e inkorporimit të sallës në strukturën ekzistuese të shtëpisë së mallrave,kjo është e po mundur nga aspekt i konstruktiv dhe funksional. Kjo nënkupton se shtëpinë e mallrave duhet domosdo rrënuar,me pasoja të pa riparueshme që ndikojnë direkt në identitetin urban të Prishtinës. A thua ka ndonjë arkitekt apo planer urban në rruzullin tokësor që mendon kështu ?

Opsioni tjetër është gjithashtu i rrezikshëm,sipërfaqja e lokacionit të fituar pas rrënimit të objektit të ish Gërmisë,dyshoi se do të mjaftonte për të projektuar një sallë polivalente koncertale,me të gjitha përmbajtjet përcjellëse të brendshme dhe të jashtme. Përpiluesit e detyrës projektuese kurrsesi nuk duhet me u kufizuar në vlerën financiare të donacionit, përmbajtjet duhet parapa për disa dekada, në një kryeqytet që po rritet me shpejtësi marramendëse,si rezultat i politikave të gabuara urbane.

Edhe raporti me përmbajtjet tjera ekzistuese nuk shkon në favor të lokacionit i cili për këto lloje objektesh kërkon të jetë i hapur dhe transparent dhe të frymon nga të gjitha anët. Preferohet të vendoset në një zonë të qetë, që të plotëson kërkesat kryesore të komunitetit artistik dhe vizitorëve, në një zonë atraktive,e që nuk është larg qendrës së kryeqytetit,ky do të ishte avantazh i madh për kulturën tanë,e jo ti imponohet apo ta ngulfat mjedisin i cili do ta rrethonte.

Tjetër është nëse do ti lejojmë vetes asi komoditeti e të përsërisim gabimet e bërë me caktimin e lokacionit të Xhamisë qendrore e cila është ngulfatur në një hapësirë të vogël dhe të kufizuar, ku projekti nuk korrespondon fare me lokacionin.

Se lokacioni i sallës koncertale domosdo nuk duhet të jetë në qendrën e kryeqytetit e tregojnë rastet e shumta në tërë rruzullin tokësorë. Duhet analizuar se si kanë vepruar qytetet e mëdha në botë me caktimin e lokacioneve të reja të këtyre objekteve,specifike dhe me ekskluzivitet të lartë shoqëror si janë rastet në Torino,Helsinki,Sofje apo afër neve në Shkup.

Duhet pasur durim që vendimmarrësit tanë, me forcën e argumenteve profesionale dhe financiare, me i bindur përse ndonjë objekt arkitektonik apo ndonjë kompleks urbanistik duhet vendosur në lokacion adekuat, duke i argumentuar përparësitë, dobësitë, mundësitë dhe rreziqet që i kërkon një veprim i tillë. Për këtë specialistët tanë që thirren shpesh në konsultime dhe iu kërkohen këshilla dhe mendime profesional, së pari duhet pasur dituri të larta personale të fushës që i takojnë, paanshmëri politike dhe regjionale,dhe jo të korruptueshëm. Duhen pasur durim ekstrem në shpjegime dhe bindjen e atyre që vendosin,pasi kemi të bëjmë me struktura të cilat nuk kanë njohuri për temat specifike si është objekti i sallës koncertale.

E nëse as kjo forme profesionale e punës,për shkaqe të ndryshme,nuk jep efekte pozitive,atëherë ata individë duhet demaskuar së pari publikisht e pastaj ligjërisht. Ka kaluar koha e feudëve apo monarkëve kur për çështje të rëndësishme urbanistike për të gjithë në, të vendosë një grup i vogël njerëzish pa pajtueshmëri gjithëpërfshirëse.

Luten të gjithë vendimmarrësit tanë aktual të mos përsëritin gabimet e shumta të së kaluarës dhe me qetësi të marrin vendim adekuate, të ndihmuar nga profesionistët e vërtetë, në caktimin e lokacionit për tempullin e ardhshëm të kulturës në Kosovë,pasi propozimi aktual është i gabuar dhe i dëmshëm. Donacionin e ofruar nga BE duhet pasuruar financiarisht nga ne, gjithsesi duhet shfrytëzuar për të ndërtuar një sallë koncertale dinjitoze për të gjithë ne.