Huliganët me prirje fashiste janë fytyra e vërtetë e Vuçiçit

Shkruan: Boiken Abazi

Rrahja gati për vdekje e dy djemve të rinj shqiptarë në Serbi nga huliganë me prirje fashiste, vjen pas gurëve që janë gjuajtur javën e kaluar ndaj autobusit që udhëtonte nëpër Serbi nga Kosova. Ndërkohë që urojmë me gjithë zemër që dy djemtë të shërohen sa më shpejtë, kuptojmë se nuk kemi të bëjmë me raste sporadike. Grupet e huliganëve në Serbi kanë qenë përherë pararojë e politikave shtetërore me prirje fashiste të Serbisë, dhe të përkrahur prej shtetit.

Vuçiçi e ka humbur argumentin se ndarjen e Kosovës do ta realizojë me konsensusin e shqiptarëve. Këtë gjë e vulosi protesta madhështore paqësore dhe mbarëpopullore e 29 shtatorit. Prandaj Vuçiç tash po synon të provokojë incidente në terren, për të treguar se serbë e shqiptarë nuk mund të jetojnë dot në të njëjtin vend, e për pasojë Kosova duhet ndarë. Huliganët me prirje fashiste janë fytyra e vërtetë e Vuçiçit.

Bashkë me Vuçiçin, edhe Thaçi i ka humbur argumentet demokratike për të çuar përpara ndarjen e Kosovës. Vetëm përmes tensioneve në terren ata shpresojnë ta rivendosnin në fokus planin e Serbisë për ndarjen e Kosovës, që Thaçi fillimisht e paraqiti si të vetin. Vuçiç dhe Thaçi duan tensione ndër-etnike në terren, sepse ata kanë mbetur pa argumente për planin e tyre.

Populli shqiptar në dy shtetet shqiptare di dhe duhet të tregohet i matur, duke mos nxitur tensione ndër-etnike, por duke e rritur tensionin politik ndaj Thaçit për dorëheqjen e tij, sepse me një President kolaboracionist shqiptarët do mbeten përherë në rrezik.