Shpallje

Nga Marjon Gorica/ Nuk do të doja kurrë të ngjyrosja veten time politikisht, e aq më tepër në një situatë të tillë kur bëhet fjalë për përkushtimin tim në media.

Sot administroj disa portale online, ku nuk është censuruar dhe nuk i është hequr e drejta asnjë subjekti politik për të publikuar reagimet që ka.

Qoftë ajo Partia Demokratike, Partia Socialiste apo Lëvizja Socialiste për Integrim.

Qesharak bëhen në opozitë, këta që herë shajnë median se nuk i promovon, e herë e lavdërojnë atë. Janë po aq qesharak, saqë sot të punosh në një institucion, për Partinë Demokratike nuk qenka e denjë për të qenë një gazetar i lirë, apo ku ta di unë çfarë emërtimi i bëjnë ata.

I kushtova rëndësi një gjëje hiç pa vlerë në pamje të parë, që për mua do të thotë shumë.

Ju rrëfej qendrimin e zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, kësaj partie e cila është e mirë me mediat vetëm kur ju intereson këtyre.

Para disa ditësh unë kam pasur një reagim timin në një media në vend, si pjesë e stafit të një institucioni. Gjë e cila më paska bërë mua të “përjashtohem” nga grupi i medias i Partisë Demokratike. Duke humbur të drejtën e informimit të çdo reagimi nga ana e tyre…

Aaaa sa qesharake. Çfarë humba unë?

Këtyre të cilëve ju jep mundësinë t’i promovosh në një audiencë prej 700.000 ndjekësish, sot të diferencojnë pasi je i punësuar në një institucion dhe je i varur politikisht.

Kështu është… Ja pikërisht këta që veprojnë kështu në opozitë, e imagjino më t’i kesh në pushtet, çfarë bëjnë me administratën.

Jo, realisht nuk e prisja që demokracia të ishte kështu, aq më tepër në një parti që mbanë këtë emër.

Kjo është fytyra e vërtetë e një partie të përgjumur e cila bëhet antipatike çdo ditë.

Më vjen keq për shumë miq të mirë në të, qofshin deputetë, ish ministra apo drejtues të ndryshëm të saj. Ndaj doja t’ju pyes dhe ju, si e cilësoni diçka të tillë?

Sot nuk humbi media, por humbi një parti e cila nuk njeh asnjë koncept të sistemit demokratik.