Shpallje

Policia e Shtetit ka reaguar pas videos së publikuar nga PD një ditë më parë, ku Fredi Alizoti, i pëfshirë në çështjen e Babales thotë se është kontaktuar dhe është marrë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Deklaratat e Fredi Alizotit, të publikuara në video nga deputeti i PD, Ervin Salianji, Policia e Shtetit i konsideron fund e krye të pavërteta.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ka qenë për asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe në asnjë cilësi shoqërues, kontaktues apo në çdo formë tjetër i shtetasit Alfred Alizoti.

Atë që ky i fundit deklaron në një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë dhe e prezantuar publikisht nga deputeti Salianji, është fund e krye E PAVËRTETË.

Për këdo të interesuar është lehtësisht i verifikueshëm fakti se Drejtori i Përgjithshëm në ditën që shtetasi Alizoti është shoqëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka qenë me angazhime të tjera”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë gjithashtu se Veliu nuk është i përfshirë në në veprime procedurale në lidhje me hetimin e çështjes të ashtu-njohur publikisht si çështja “Babale”.

“Me përgjegjësi publike deklarojmë se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në asnjë rast nuk është përfshirë në veprime procedurale në lidhje me hetimin e çështjes të ashtu-njohur publikisht si çështja “Babale”.

Edhe nëse kjo mund të kishte ndodhur, ajo nuk do të përbënte asnjë shkelje ligjore për sa kohe do të ishte në zbatim të urdhërimeve të prokurorisë, ose gjykatës”, thuhet në njoftim.

“Në lidhje me çështjen hetimore të sipërcituar -thuhet në njoftim- Policia e Shtetit nuk ka kryer asnjë veprim procedural me iniciative të vetë, por në çdo rast ka vepruar kur ka patur urdhërime të prokurorisë, ose të gjykatës. Në këtë kuadër edhe shoqërimi i shtetasit Alizoti është bërë në zbatim të urdhrit të prokurorit të çështjes. Ky veprim procedural është bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier.

Policia thotë se është e hapur që prokuroria ta hetojë edhe këtë aspekt në detaje në kuadrin e procesit hetimor që ajo po kryen për këtë çështje.