Shpallje

Nga Iliaz Bobaj

Ekipi i kontrollit u nis me nje frymë në drejtim të qytetit të Vlorës. Në mikrobuzin e Ministrisë së Shëndetsisë ishin gjithsej gjashtë vetë, një ekip tepër i përforcuar, i nisur direkt me urdhër të veçantë të ministrit. Rrinin të heshtur dhe të menduar, sikur shkonin për mort.

Natyrisht, kjo heshtje kishte shkakun e vet. Ishte serioziteti i detyrës që kishin marrë përsipër, ose më mirë i detyrës që u kishin dhënë.

Dhe me detyra të tilla nuk bëhej shaka…

Secili prej tyre mendonte ato që u kishte thënë ministri, kur i thirri me urgjencë në zyrën e tij. Ishte një thirrje e pazakontë, pasi zakonisht ekipet e kontrollit nëpër institucionet e ministrisë përgatiteshin disa ditë para. Madje bëhej edhe plani i kontrollit.

Ndërsa thirrja e kësaj here ishte krejt e veçantë. Aq më tepër që ishte edhe e diel, ditë pushimi.

Përgjegjësi i ekipit rrinte në vendin e parë të mikrobuzit. I mbyllur në vetvete, si një ngrehinë e vjetër, që nuk hapet lehtë. Me vështrim të tendosur përpara, deri aty ku i rroknin sytë. Sikur priste me padurim t’i shpërfaqej para Vlora dhe Spitali i saj Psikiatrik. Natyrisht ai dinte diçka më tepër se të tjerët. Ia kishte thënë vetë ministri me gojën e tij:

– Na ka ardhur një letër anonime, në të cilën shkruhet se në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, gjendja ka shkuar deri aty ku nuk mban më kandari. Aty thuhet se mjekët nuk janë në krye të detyrës, se abuzojnë me detyrën e tyre, nuk ka organizim të punës dhe se gjendja është tepër e rëndë.

Më thirri vetë i madhi për këtë punë. Kërkoj një kontroll tepër të imët dhe një raportim po të tillë. Bile e dua edhe me shkrim. Ti e kupton vet:sistemi ynë socialist nuk mund të durojë as shkeljen më të vogël në sistemin tonë shëndetsor. Veçanërisht kur bëhet fjalë për shkelje të tilla, të cilat shqetësojnë direkt Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë dhe nxijnë punën tonë si ministri, për të cilën mbajmë përgjegjësi të plotë para partisë. Nisuni !

– Për ku, shoku shef ?- pyeti shoferi i mikrobuzit, i cili priste i gatshëm në vendin e vet.

– Në Vlorë !

Rrugës nuk pati asnjë ndalesë.

Kur hynë në qytetin e Vlorës, shoferi ktheu sytë nga përgjegjësi i ekipit, për të marrë destinacionin, por ky i fundit as që e vuri re këtë hollësi. Ai vazhdonte të bluante gjëra të thella në mendjen e vet. Ndoshta mënyrën se si do ta organizonte kontrollin e beftë.

– Për ku, shoku shef ?- pyeti për herë të dytë shoferi.

– A, po. Në Spitalin Psikiatrik !

Në spital mbërritën pas pak minutash.

Mikrobuzi ndaloi tek dera e spitalit. Anëtarët e ekipit zbritën njeri pas tjetrit të heshtur, ashtu siç ua donte serioziteti dhe rëndësia e detyrës dhe u nisën drejt hyrjes së ngrehinës trikatëshe të spitalit.

Përgjegjësi i ekipit, i cili printe i pari, dukej pakëz më i kërrusur se të tjerët, nga pesha e detyrës që mbante mbi shpinë.

Tek porta i priti një burrë rreth të tridhjetepestave i veshur me bluzë të bardhë.

‘’Ky, me siguri, është mjeku i turnit’’, mendoi përgjegjësi dhe e mati me një vështrim të kujdesshëm.

– Mirë se erdhët !- i përshëndeti ai njerëzisht dhe u dha dorën.

E përshëndetën njeri pas tjetrit, por ftohtë, gjë që e donte serioziteti i detyrës.

– Ti je përgjegjësi i turnit ? – e pyeti përgjegjësi i ekipit, duke i hedhur një vështrim të rreptë.

– Po, unë jam,- u përgjigj me ai me shumë mirësjellje.

– Jemi një ekip kontrolli i Ministrisë së Shëndetsisë. Vijmë me urdhër të vetë ministrit. Eja me ne !

Ai i ndoqi pas pa thënë asnjë fjalë.

Kati i parë ishte pothuajse bosh. Në fund të koridorit të gjatë, një i sëmurë kishte mbërthyer sytë në mur dhe rrinte si i ngrirë në atë pozicion.

Sapo u ngjitën në katin e dytë u doli para një i sëmurë, i zbathur, i zhveshur nga mesi e lart, u vuri dorën para si një tabelë stopi dhe u tha:

– Sapo u ktheva nga parajsa. Po të doni ju shpie edhe juve për një vizitë. Çelësin e saj e kam unë.

Nxorri një çelës të madh, të cilin e kishte lidhur në rripin e pizhamave:

– Ja, ky është çelësi i parajsës.

– Mirë, mirë,- i tha burri me bluzë të bardhë,- herë tjetër,- duke e shmangur me kujdes çelësmbajtësin e parajsës prej ekipit.

Ekipi vijoi më tej për të parë gjendjen.

Para një dere ishin ca rroba të shpërndara pa kujdes. Në një anë të koridorit ishte një gjysmë bluze e shqyer. Një i sëmurë rrinte përtokë këmbëkryq. Dukej sikur lutej.

Banjat e katit ishin të pista. Prej dy çezmave të prishura , rridhte ujë, i cili, pasi shkelej nga këmbët, linte shenja nëpër koridor.

Dhomat e të sëmurëve ishin lesh e li. Në disa prej tyre të sëmurët ishin mbyllur me çelës.

– Dua të më lini të lirë !- thërriste me sa kishte në kokë njeri prej tyre.

Shoqëruesi me bluzë të bardhë u shpiegonte anëtarëve të ekipit të ministrisë gjendjen e çdo të sëmuri dhe problemet për të cilat e pyesnin ata.

Anëtarët e ekipit mbanin shënime të përpikta për gjithshka që u sqaronte ai. Dukej që e njihte mirë gjendjen dhe përgjigjet që u jipte ishin shumë të sakta.

Në katin e tretë ishte më keq se në katin e dytë.

Ishte një gjendje për të vajtuar.

Përgjegjësi i ekipit tundi kokën i menduar:

– Ja që paska patur të drejtë dërguesi i letrës anonime. Edhe vetë shoku ministër. E mbi të gjithë vetë Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë…

Ndërsa ai po mendonte për atë që po shihte me sytë e tij, i doli para një i sëmurë me një libër në dorë:

– Në Konferencën e Mukjes, Partia mori këto vendime,- filloi të lexonte ai,duke ngritur gishtin tregues përpjetë dhe duke përqëndruar vështrimin mbi libër.

– Ky,- u tha shoqëruesi me bluzë të bardhë,- merr pjesë rregullisht në diskutimet në formën politike, që organizohet me të sëmurët psikikë çdo muaj, ku mësohen mësimet e partisë sonë dhe të marksizëm-leninizmit. E di në majë të gishtave historinë e Partisë së Punës së Shqipërisë.

Përgjegjësi i ekipit, i pasuar prej të tjerëve, tundi kokën në shenjë miratimi, i tha një :’’Të lumtë !’’ të sëmurit psikik me përgatitje të lartë politike dhe vazhdoi rrugën. Në çast duket se u kujtua për diçka të rëndësishme dhe iu kthye shoqëruesit me bluzë të bardhë:

– Vetëm ti je sot në turnin e mëngjezit ? Ku janë mjekët e tjerë ?

– Në këto çaste jam vetëm unë. Mjeku tjetër ka shkuar për një kafe në Skelë.

Vjen paspak.

Kjo përgjigje i bëri shumë përshtypje përgjegjësit të ekipit të ministrisë. Ishte një përgjigje e sinqertë, e cila bëri që ta shtonte simpatinë për shoqëruesin me bluzë të bardhë.

Përgjigjen që i dha ai e mbajti shënim, duke i hedhur edhe një sy orës.

Po, pikërisht atë çast, ndërsa po merrnin kthesën në fund të koridorit, u doli para një i sëmurë me një kapele të rrumbullaktë në kokë, së cilës nuk i dallohej ngjyra:

– Jam filozof dhe udhëheqës i ushtrisë më të lavdishme në botë,- u tha.- Vij nga lashtësia. Filozofia ime mbështet qënien e mosqënies së lavdisë së përjetshme.

– Ç’është ky ?- pyeti shoqëruesin me bluzë të bardhë përgjegjesi i ekipit.

– Ai e heq veten filozof dhe udhëheqës i madh. Thotë që është Aleksandri i Madh i Maqedonisë. Bile numëron edhe betejat fitimtare ndaj persëve.

Po kot e ka. Aleksandri i Madh i Maqedonisë jam unë.

Ekipi ndaloi në vend si i ngrirë.

Përgjegjësi i ekipit kishte shtangur si një pikëpyetje.

-…Po kjo ?- i shpëtoi një pyetje, e cila mbeti pa përgjigje.

Shoqëruesi me bluzë të bardhë, kur pa që të gjithë anëtarët e ekipit i kishin përqëndruar me habi vështrimet mbi të, tundi kokën me nënkuptim, duke miratuar atë që tha pak më parë:

– Po, po, Aleksandri i Madh i Maqedonisë jam unë dhe jo ai.

Ekipi i Ministrisë së Shëndetsisë dukej krejt i hutuar dhe nuk dinte si të bënte. Goditja që kishte marrë prej pretendentëve për Aleksandër të Madh të Maqedonisë, qe e dyfishtë. Po aq edhe e papritur.

Por nga kjo gjendje i nxorri përgjegjësi i ekipit:

– Ikim,- u tha ai anëtarëve të ekipit dhe u nis i pari tatëpjetë shkallëve.

Anëtarët e tjerë të ekipit e ndoqën pas të heshtur si një kortezh.

Por, ndërsa zbrisnin në katin e parë, u doli para një burrë rreth të pesëdhjetave, edhe ai me bluzë të bardhë mjeku. Vinte me ngut. E kish marrë me mend që mund të ishte ndonjë kontroll dhe kontrolle të tillë vinin si era me shi dhe mbillnin furtunë.

– Jam mjeku i pavionit,- u tha ai.- Isha deri në Skelë. Pashë mikrobuzin dhe erdha me një frymë. Urdhëroni !- i ftoi vizitorët, duke u zgjatur dorën andej nga zbritën.

– Nuk është nevoja. Jemi një ekip i Ministrisë së Shëndetsisë. Kemi ardhur me urdhër të ministrit,- e sqaroi përgjegjësi i ekipit të kontrollit dhe iu drejtua mikrobuzit.

Ndërsa mjeku po e shoqëronte përgjegjësin e ekipit për tek mikrobuzi, ky i fundit, duke e drejtuar vështrimin tek burri me bluzë të bardhë, që i shoqëroi gjatë vizitës, e pyeti me zë të ulët:

– Nuk më thua, po ai tjetri me bluzë të bardhë, që na shoqëroi, cili është?

– Oh, një i sëmurë psikik, pacient i këtij spitali, i cili vesh një bluzë të bardhë dhe e heq veten si mjek. Nuk bën dëm. Vetëm se e mban veten si Aleksandri i Madh i Maqedonisë,- ia ktheu mjeku, duke i shoqëruar fjalët e tij me një buzëqeshje të lehtë.

Ekipi i kontrollit të Ministrisë së Shëndetsisë u fut në mikrobuz dhe u nis me ngut drejt Tiranës.