Shpallje

Nga Refxhei Tola/ Në një përpjekje të përditshme për të kuptuar Shqipërinë dhe shqiptarët, krizat e forta morale të cilat po përjeton shoqëria jonë sot, kam zgjedhur të sfidoj tendencën për tja veshur fajin antorpologjisë së popullit shqiptar për situatën ku ne ndodhemi. Mendoj se në Shqipëri ka një konflikt, ose më saktë ka mijëra konflikte. Arsyeja pse ne sot të gjithë kërkojmë drejtësi, është sepse nevoja për të zgjidhur konfliktet që ne kemi me njëri- tjetrin dhe më së shumti me vetë sistemin, po bëhet gjithnjë e më e ethshme. Ne të gjithë e dime, se e drejta lind vetëm për të zgjidhur konfliktin. Po kush është konflikti që me shumë mundësi do ta cojë Shqipërinë drejt zbehjes së identitetit të saj kombëtar??

Gjithnjë kam besuar se shteti është vetëm produkt i një kontrate sociale që ne bëjmë, as më shumë e as më pak. Forca nuk mund të formojë një shtet, sepse vetë sistemi nuk mund të mbahet me forcë. Mendoj se problemi ynë më i madh gjendet te cekuilibrimi mes pronës private dhe asaj publike. Gjatë periudhës së saj më të vështirë, Shqipëria kaloi nga një ekstrem, në një tjetër. Dikur ne nuk kishim pronë private, sot nuk kemi pronë publike. Dhe ky është një problem shumë më i madh nga sa mund ta mendojmë.

Shpesh më lind një pyetje, të cilën e konfirmoj gati cdo ditë. A kemi pasur gjithmonë një shtet kriminel ne shqiptarët? Në cdo qeverisje, nën cdo logo apo flamur politik…

Krimi më i madh që shteti i ka bërë shqiptarëve është privatizimi. Preteksti që lind nga nocioni i shtetit të korruptuar. Privatizimi është eficent vetëm për ata që kanë parà. Miliarda euro naftë, bitiumi me të cilin shtrohen rrugët e Europës, minierat e arta të Bulqizës, territore të falura dhe të shitura për të mos folur për pasigurinë ushqimore, mënyrën me të cilin shteti po vret shqiptarët cdo ditë pak e nga pak… Sot sistemi po promovon me forcë importin. Një sistem i tërë i ngritur kundër punës, kundër industrializimit. Tashmë kemi arritur në një pikë ku prej afro 3 dekadash ne nuk mund ta ndryshojmë dot materien.

Përvoja e hidhur e vitit 97 na beri të kuptojme se edhe shteti më i keq është më mirë se sa të jesh pa shtet fare. Dhe për hir të sigurimit të jetës, ne bëmë kompromis me të keqen.

Në të vërtetë, ne skemi në dorë asgjë për ti ndryshuar ekuilibrat që rendita më sipër. Cdo gjë e ka në dorë sistemi. Sistemi, ose ndryshe një përqindje shumë e vogël oligarkësh, shumë të organizuar. Sistemi prodhon vlera, vlera që populli i absorbon si normale. Mendoj se keqja më e madhe e këtij vendi, është eksporti i ëndrrave. Të rinjtë janë programuar për tu shkëputur nga ëndërra shqiptare.

Unë jam realiste kur them se sistemi nuk ka për detyrë të shpërndajë pasurinë në mënyrë të barabartë, por ai sigurisht që ka për detyrë ta shpërndajë atë në mënyrë dinjitoze.

Këtu unë ngre një pyetje. A duam ne të bëjmë një shtet shqiptar, apo një shtet me oligarkë shqiptarë dhe lobe ndërkombëtarë?!

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz