Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë

Shkruan: arch. Ylber Vokshi-Ylli

Për tendencat me e rikthye situatën e mjerë urbanistike në qytetin e Gjakovës, me dhënien e disa lejeve ndërtimi në kundërshtim me dokumentet hapësinore aktuale, këtë herë nuk do të merrem me ketë problematikë që po e plandosë qytetin që dikur ishte shembull për të mirë në tërë regjionin.

Më bëri përshtypje një njoftim në mjetet e informimit se Kuvendi Komunal i Gjakovës do të mbaj mbledhjen e radhës me pikën kryesore të rendit të ditës ku po kërkohet “ Shqyrtimi i propozim vendimit për NDRYSHIMIN e një vendimi nga viti 2015 për Shpallje të Interesit Publik për Monumentin Historik Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë ”. Qëllimi i ati vendimi që kishte marrë qeverisja e kaluar ishte të realizohet synimi për të respektuar figurën gjithëkombëtare të Heroit të Popullit, të Ministrit të Mbrojtjes dhe Financave të Qeverisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjakovarit Sylejman Vokshi,me të cilin mburret e tërë shqiptaria,pasi ishte ndër figurat ma emblematike të Lidhjes …

Në qeverisjen e kaluar në qytetin e Gjakovës, u vlerësua që duhet ndërmarr diçka konkrete për këtë objekt, i cili që në shekullin e kaluar (1978) ishte i trajtuar në dokumentet hapësinore të qendrës së qytetit si monument në mbrojtjen e shtetit,kurse aktualisht është në listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme nën numrin rendor 638 si Kulla Sylejman Vokshi e me nr. unik në data bazën e MKRS nr. 817.

Asambleja Komunale kishte marrë vendim që ky objekt të jetë i interesit të veçantë publik, në mënyre që të kompensohen banorët e kësaj Kulle dhe objekti si pjesë e trashëgimisë kulturore që është, të ketë trajtimin dhe mbrojtjen institucionale të Komunës së Gjakovës,ashtu si duhet të veprohet në raste të tilla. Aspak nuk është i qartë qëllimi i futjes në rendin e ditës së shqyrtimit të vendimit për Kullën i marr para tre(3) vite, në harmoni me të gjitha dispozitat ligjore në fuqi,ku ma në fund mundësohet mbrojtja dhe shfrytëzimi adekuat i saj, si në të gjitha shoqëritë e civilizuara .

Nëse po mendohet të shfuqizohet vendimi i vitit 2015 për objektin e Kullës së familjes Vokshi,atëherë është duke u gabuar në esencë, kjo çështje i tejkalon “inatet” e politikë-bërësve tanë dhe duhet urgjentisht me u ndërpre. Duhet me u ndërmarr masa energjike nga niveli Qendror e nëse duhet edhe nga niveli ndërkombëtarë, pasi objektet e tilla që janë në mbrojtje të shtetit janë vlera të gjithë njerëzimit, dhe si të tilla duhet trajtuar, për të mos lejuar që vendimmarrësit lokal me vepruar sipas interesave të tyre klanore. Tek e fundit edhe Konventat dhe Protokollet ndërkombëtare na obligojnë ti respektojmë ato, edhe se për momentin nuk jemi pjesë e atyre organizmave ndërkombëtar,për ku tërë kohen pretendojmë.

Për rëndësinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk është vendi dhe koha për ta shpjeguar,atë e tregoi koha e tanishme,vizoni,misioni dhe porosit e saj që edhe sot janë aktuale,prijsetarët e saj ishin dhe janë edhe sot figura të nderuara të kombit Shqiptar. Nuk po dua me besuar se në ditët e sotit mundet me pas individë ose klane që do të tentojnë të minimizojnë rrolin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe rrolin e familjes Vokshi në krye me Sylejman Vokshin i cili dha kontribut të madh në jetësimin e asaj që sot të gjithë ne po e gëzojmë.

E sot dikush (disa mjerana) të veshur me petkun e pushtetit,po tentojnë që të shfuqizojnë një vendim të Asamblesë komunale të qytetit të Gjakovës 01 nr. 011-78935/2015 të datës 27. 10. 2015 për Shpallje të Interesit Publik për Monumentin Historik Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë ”.

Është dashur që shumë vite më parë kjo kullë të restaurohet dhe të ketë një funksion të ri bashkëkohorë,në funksion të turizmit kulturor aq të varfër në Kosovë, ashtu si e kërkojnë rregullat dhe kriteret ndërkombëtare për shfrytëzimin e këtyre monumenteve kulturore si është kulla e Sylejman Vokshit,e cila vizitorëve të shumtë vendor dhe të huaj do të kishte çka të iu ofroi. Dikur arsyetoheshim se po na pengonin të huajt e sot kush po na pengon pos vetvetes.

Ky duhej të ishte nderë i madh për Gjakovën,Kosovën e tërë Shqiptarët në botë,e jo të kërkohet të shfuqizohet një vendim i qeverisjes së kaluar e cila me të drejtë kishte krye të gjitha procedurat e parapara për të kompensuar familjet që për momentin jetojnë në Kullë,që ajo të ketë trajtimin dhe mbrojtjen institucionale të Komunës së Gjakovës,

Duhet nisur nga realiteti i hidhur kosovar, i krijuar në vitet e pas luftës,lidhur me trajtimin jo adekuat të vlerave të trashëgimisë kulturore, të cilat në shumë raste janë rrënuar,zhdukur nga faqja e dheut,djegur,degraduar rrënjësisht me intervenime jo profesionale, pasi nuk janë vlerësuar e nuk po vlerësohen vlerat e tyre historike dhe arkitektonike në tërë Kosovën. Këti sindromi nuk i është imune as qyteti i Gjakovës ku po ka tendenca që disa objekte të largohen nga lista e trashëgimisë kulturore, si po përflitet në kohen e fundit rasti i shtëpisë së Naim Zajmit në pjesën qendrore të qytetit. Duhet urgjentisht ndërmarrë diçka konkrete për të ndryshua situatën. A thua kujt po i konvenon zhdukja e identitetit urban me eliminimin e këtyre objekteve dhe tërësive urbane në Gjakovë dhe në Kosovë ?

Si duket pushtetarëve aktual ndër të tjerat ky vendim ekzekutiv buxhetor po iu pengon, e nuk po mendojnë pak se familja Vokshi dhe Sylejman Agë Vokshi e shkriu tërë pasurin e vet për çështjen kombëtare,që ne sot ti gëzojmë frytet e sakrificave të mëdha që i ka bërë ai dhe populli i ynë.

Do të kisha dëshirë të gaboi,për herë të parë në karrierën time profesionale,por dyshimet e mija për këtë çështje janë të bazuara,pasi të gjithë indikatorët urban relevant të detyrojnë të mendosh kështu.

Apeloi te të gjithë asamblistët – vendimmarrësit gjakovar që në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunalë, e cila do të mbahet me 30 tetor të kundërshtojnë shfuqizimin e një vendimi të vitit 2015, për Kullën e Sylejman Vokshit dhe të obligojnë ekzekutivin ta realizoi atë vendim pasi që moti ka qenë i obliguar ta bënë atë,nuk duhet të ketë ndasi apo interesa partiake në këto raste specifike. Përsërisë Kulla duhej të ishte që moti e funksionalizuar dhe të na shërben si pasqyrë e historisë të bujshme të qytetit të Gjakovës, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dega në Gjakovë.

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)