Shpallje

Nga Orges Karaj
Në një shoqëri në zhvillim e sipër si e jona, ndikimi i medias në situata të ndryshme sociale është shumë i madh. Në shoqërinë tonë ku televizioni shikohet si e vërteta më e madhe, media ka në dorë një rol madhor: ose të ndikojë në zhvillimin social tek publiku ose të realizojë një shkatërrim të vlerave njerëzore.
Shoqëria jonë është tërësisht e politizuar dhe për këtë media ka luajtur rolin e saj negativ. Çdo ditë sapo ndezim televizorin shfaqen figurat politike teksa mbajne fjalime apo debatojnë, shpesh këto debate kalojnë në dhunë verbale dhe ndonjëherë edhe fizike. Media në Shqipëri përdoret nga politika si një vegël në funksion të saj, ndryshe nga shumë vende të botës ku krerët e shteteve dalin në media vetëm në raste të rralla, kur kanë dicka për tu thënë popujve të tyre. Gjithashtu, emisionet politike janë kthyer në fushë beteja të përgjakshme për politikanët dhe opinionistët e politikës të cilët shprehin «opinionin e tyre të lirë». Shpesh herë janë pikërisht këta individë që ne i shohim të promovojnë antivlera.
Çdo ditë e më shumë, shohim se si shtohen emisionet televizive «skarco», pa kurrëfarë përmbajtje edukative ku përvec vulgaritetit nuk kanë cfarë tu ofrojnë tjetër publikut. Shohim në televizion një dyndje të personazheve të reja, individë pa kurrëfarë zhvillimi intelektual që servirin «show» përmes vulgaritetit dhe dhunës. Liria e medias është keqkuptuar këtu tek ne, jo cdokush e meriton kohën televizive, i cili është burimi i vetëm i informacionit për publikun e gjerë!
Kur emisionet vendosen të bëhen «të thjeshta», për të tërhequr një audiencë më të madhe, nuk është nevoja për t’i shtuar banalitetin dhe dhunën. Sigurisht që audienca mund të rritet pasi kuptimi i këtyre gjërave nuk ka nevojë për “lodhje” mendje. Por pasoja është e pashmangshme: krijimi i modeleve të gabuara nga të rinjtë të cilët janë lehtësisht të ndikueshëm. Më shumë se 50% e të rinjve marrin si model, modelin e fituar nga televizori. Ky nuk mund të jetë misioni i medias, të paktën jo në këto kushte!
Mendoj se çdo kush përpara se të dalë në televizor duhet të kalojë disa filtra dhe të mbajë përgjegjësi jo vetëm morale por edhe juridike për atë se cfarë transmeton tek publiku. Të rinjve duhet tu jepet më shumë mundësi promovimi në media sesa politikanëve të cilët po ua pinë gjakun cdo ditë shqiptarëve. Media duhet të promovojë vlera, jo antivlera!