Shpallje

Nga Ahmed Pemaj/

Nga dita në ditë shoqëria shqiptare po përballet me probleme nga më të ndryshmet. Probleme që vijnë si pasojë e shumë faktorëve, një prej të cilëve është edhe shëndetësia. Tani më shumë se kurrë, në periudhën e vitit ku viroza të ndryshme janë mjaft të përhapura në masë, na duhet një sistem shëndetësor i mirëorganizuar, për të përballuar situata të komplikuara që shfaqin pacientët. Sistemi shëndetesor në Shqipëri në ditët e sotme ka shumë probleme. Përtej ngjarjeve të mëdha, korrupsionit në spitale apo infrastrukturës së degraduar, ka disa probleme që ne nuk i kemi theksuar aq shumë, por që unë i shoh mjaft shqetësuese.
Problemi i parë qëndron në largësinë e qendrës shëndetësore nga vendbanimi i pacientëve. Shumë qytetarëve u duhet të udhëtojnë në distanca të konsiderueshme për të kryer një vizitë tek mjeku përkatës. Ky është një problem shumë shqetësues pasi është tepër e vështirë për një person që të lëvizë ndërkohë që mund të vuajë sëmundje nga më të ndryshmet, që kërkojnë emergjencë dhe shërbim të shpejtë. Shumë qytetarë mendojnë se duhet të ketë më shumë qendra shëndetësore në të gjithë Shqipërinë, gjë e cila do të lehtësonte shumë procesin e konsultimit me mjekun, dhe përpos kësaj do të kishte më shumë vende pune për shumë mjekë shqiptarë të papunësuar për momentin.
Problemi i dytë i është pamundësia e kryerjes së vizitës pa kartën e shëndetit. Ka shumë raste ku qytetarët nga nxitimi harrojnë në shtëpitë e tyre kartën e shëndetit, gjë që i detyron të rikthehen për ta marrë. Ky është një mundim i madh për një person të sëmurë dhe sidomos për ata që vujanë sëmundje të rënda. Duke i shtuar këtij procesi edhe largësinë e qendrës shëndetësore nga banesa e të sëmurit, mund të themi me bindje se një vizitë tek mjeku përkatës kërkon nga pacienti një impenjim që kalon përtej limiteve të tij.