Shpallje

Nga Marjon Gorica
Prej vitesh Koli, ashtu siç e thërrisnin të gjithë, ka lënë gjurmë në memorien e shumë miqve, kolegëve, të afërmve apo dhe patriotëve të tij.

Disa e kanë njohur Kolin vetëm nga ekrani, si një demokrat i denjë në partinë në të cilën bënte pjesë, duke i shërbyer jo vetëm asaj, por çdo personi që kishte lidhje personale me të deri në çastin e fundit të jetës së tij.

Sokol Olldashi, politikani që zgjohet e fle në fjalët e banorëve të fshatit Sinjë në Berat.

Është pikërisht ky person ai i cili do të mbetet gjatë në kujtimet e tyre, për vetë ndihmesën e madhe e tepër jetësore që ju dha këtyre banorëve.

Sinja është një fshat në këmbë të Shpiragut, rreth 20 kilometra nga Berati.
Kur nisesh drejt kësaj zone, sheh me dhjetra familje të cilat përkushtohen dhe investojnë çdo ditë në fshatrat që ndodhen përgjatë 20 kilometrave, duke mos menduar të lëvizin nga aty.
Teksa kthen vështrimin në të majtë të rrugës, bie në sy qendrimi madhështor e hije rëndë, i të shenjtit, Mali i Tomorit.

Në Sinjë arrin për rreth 25 minuta, kohë e cila një dekadë më parë nuk mendohej ndonjëherë.1 orë e 30 minuta i duhej banorëve të kësaj zone që të shkonin në qytet, pasi rruga, e cila vetëm e tillë nuk mund të quhej, ndodhej në një gjendje jashtëzakonisht të amortizuar.

Vetë kjo njësi administrative konsiderohet si një nga zonat më të mëdha prodhuese me frutikulturë, ku vendin kryesor e zë qershia.

Prej disa kohësh i drejtohem kësaj zone, e përveç kushteve në të cilat ndodhet, bukurisë natyore dhe mjedisit që të ofron, banorët e këtij fshati, flasin me dashamirësi ndaj Sokol Olldashit.
Ishte pikërisht Sokoli personi i cili ndërmori iniciativën që këtij fshati, aty nga ku kishte dhe origjinën e tij, t’i bënte një nga dhuratat e cila ndikoi totalisht në jetën e tyre, por edhe të fshatrave përqark.
E thash një nga dhuratat, pasi ai për këtë zonë kishte menduar gjatë, aq gjatë saqë tashmë mendimet e tij, banorët e Sinjës i thonë me krenari, por e dinë që asgjë s’do të ndodh më me ta, pasi ai (Sokoli) iku fizikisht nga kjo botë.

Në qendër të fshatit qendron Muzeu Historik, i cili mbartë shumë vlera. Gjithashtu një tjetër objekt që zë rëndësi të veçantë është edhe kisha heremite e Shën Mërisë, e mbështetur në faqet e një prej dy shpellave të fshatit. Kisha shpellë është shpallur monument kulture i kategorisë së parë.
Një zonë e rritur me tradita e kulturë, ku pjesë të historisë së saj tashmë ka dhe Sokolin.
Emri që i përmendet me krenari çdo personi që viziton këtë zonë, për kontributin që dha, por me ëndërra të lëna në mes, duke mos realizuar dot dëshirën e madhe të Kolit, Unazën e Shpiragut.
Një investim infrastrukturor ky, i cili rikthente fshatin e tij, në një pikë strategjike për jugun.
Mos realizimi i këtij investimi nuk e humb respektin që banorët kanë për të.
Dhe pse një fshat socialist, ata lartësojnë në çdo bisedë djalin e tyre, i cili ishte shpresa dhe ndryshimi i jetës së 300 familjeve.