Shpallje

Pyetja që shtrohet është a mund të caktohet Zëvendësministri Sandër Lleshi të bëjë detyrën e Ministrit?
Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje duhen mbajtur në konsideratë tre ligje kryesore: Kushtetuta e Republikës, Ligji Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave dhe Kodi i Proçedurave Administrative.

Këto janë ligjet kryesore, përveç të tjerave si psh Ligji për Policinë e Shtetit.

Më konkretisht, sipas nenit 106 të Kushtetutës, Fatmir Xhafaj është ende ministër deri sa të betohet ministri i ri. Pra edhe pas miratimit të dekretit të shkarkimit të tij nga Kuvendi, Ai duhet të qëndrojë në detyrë deri sa të vijë Ministri i ri, jo zëvendësministri i ri.

Ky është detyrimi që buron nga Kushtetuta dhe nga interpretimi që Gjykata Kushtetuese ka bërë në vendimin e saj nr. 6 të shkurtit 2002.

Çështja shtrohet, çfarë ndodh nëse Ministri Xhafaj nuk e ushtron detyrën e ministrit de fakto?

Në këtë rast, veprohet njësoj si me çdo ministër tjetër kur gjendet në kushtet e pamundësisë reale për të kryer detyrën.

Neni 6 i Ligjit për Këshillin e Ministrave në relacion me nenin 34 të Kodit të Proçedurave Administrative sqarojnë se po, një zëvendësministër mund të kryejë përkohësisht detyrën e ministrit kur ky i fundit është i pamundur për ta kryer vetë.

Por përkohësisht ama!

Por që kjo të ndodhë duhet që ministri të autorizojë me shkrim zëvendësministrin konkret (kujtojmë se ministria e brendshme ka 5 të tillë) që ta kryejë këtë detyrë.

Askush tjetër nuk mund te delegojë një detyrë që nuk e ka! As Kryeministri e as qeveria nuk mandaton dot një zëvendësministër të bëhet ministër!

Nga ana tjetër ka disa detyra që nuk mund ti kryejë zëvendësministri as me autorizim. Zv/Ministri nuk mund të votojë në qeveri ashtu siç nuk mund të ulet në podiumin e ministrit në Kuvend! Sepse për tu ulur aty, duhet të jesh emëruar ministër sipas proçedurës kushtetuese: Kryeministër-President-Kuvend.

Ndaj nuk ka kuptim ideja që ministrin “e bëjmë vetë” si zëvendësministër.

Më në fund, nuk ka kuptim që një person që nuk kalon filtrin kushtetues për t’u bërë ministër, të kryejë detyrën e ministrit. Por kjo e fundit është moral.

Ky është sqarimi që kam për të gjithë ata që më pyetën.