Shpallje

Unë nuk mendoj se çdo koncension, ose PPP, është një vjedhje apo një aferë korruptive. Por ky shërbim që ka nisur të aplikohet së fundmi në shërbimin e transporteve, është padyshim një vjedhje e shëmtuar, një pisllëk që duhet refuzuar në mënyrë kategorike.
Shteti ka licensuar operatorë që bëjnë përshtatjen e automjeteve, për të përdorur edhe gazin si lëndë djegëse(në kushtet kur babëzia po e çon çmimin e benzinës në nivelin e çmimit të verës).
Janë ofiçina të licensuara po nga ky shtet.
Tani, pasi të vendosësh impiantin e gazit në makinë, duhet të shkosh të paguash edhe 10 mijë lekë të reja tek ky koncensionari i ri, vetëm që ai të lëshojë një copë letër që tregon se ti e ke vënë impiantin, që të shkosh të bësh edhe ndryshimin në lejen e qarkullimit.
Por, a nuk mjafton çertifikata që lëshon ofiçina, edhe si dëshmi edhe si garanci sigurie? Nëse jo, atëherë vendos kritere më të forta profesionale ndaj ofiçinave(serviseve) që bëjnë këtë shërbim. Përse duhet licensuar një kompani që të verifikojë veprimet e një kompanie tjetër, të cilën duhet ta paguajmë po ne?
Nuk po i hyj faktit se ç’lidhje ka një kompani autobuzash të bëjë check-up makinash. Por dua të di se çfarë shërbimi na ofron kjo “Shpresa”, që ne ta paguajmë 100 Dollarë për një copë letër?
Nisur nga ky precedent, unë i kërkoj qeverisë, tani, të më japë me koncension “çertifikimin” e pacientëve që dalin nga spitali. Pra, ata që dalin nga spitali, duhet të vijnë tek klinika “ime”, dhe të marrin një dëshmi që kanë dalë nga spitali dhe janë shëruar.
Kuptohet, duke më paguar 100 USD.
A nuk është e njëjta gjë? A nuk janë serviset e makinave njësoj si spitalet?
Ky është një maskarallëk që duhet kontestuar në mënyrë masive. Unë ju ftoj të gjithëve ta ngrejmë zërin. Një njeri i vetëm, përmes denoncimit të vazhdueshëm e shkarkoi para pak ditësh një zv/ministër arsimi që kishte vjedhur doktoraturën.
Ne të gjithë mund ta ndalojmë këtë zhvatje, pavarësisht përmasave. Shpërndajeni këtë postim si një ftesë për reagim publik!