Deri kur bisedime pa kritere?!

Shkruan: Gëzim Ejupi

Është e pa logjikshme, dhe e pa kuptueshme se si mund të bisedohet pa kritere dhe pa platformë!

Jam i vetëdijshëm se nuk kemi pozicion dhe kushte politike, ekonomike dhe ushtarake që t’i vëmë kushte BE-së dhe bashkësis ndërkombëtare në përgjithësi, mirëpo, kemi pozicion dhe kushte më të favorshme në raport me Serbinë sepse ky shtet ishte agresori, ndërsa, NE ishim viktimë e represionit dhe gjenocidit të këtij shteti.

Por, edhe nëse NE nuk mundemi t’i vëmë kushtet për dialogun, i cili është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm, at’herë, megjithatë klasa jonë politike i kanë të gjitha parakushtet që të krijojnë një platformë të përbashkët për bisedimet me Serbinë. Por, pse kjo nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh ënde? Sipas logjikës sime, janë një grup i vogël narcizoidësh të cilët janë duke e mbajtur peng tërë Kosovën dhe qytetarët e saj. Këta lider të pushtetshëm mbi të gjitha e kanë idenë e tyre, dhe nuk i bënë përshtypje asnjë logjikë tjetër jashtë kornizave të idesë së tyre. Negociatat duhet të vazhdojnë, por jo në këtë formë pa substancë. Nuk është parësore se kush i udhëheq bisedimet edhe pse nuk është më pak e rëndësishme, por themelore është që, për çdo gjë që do të bisedohet të kemi një unitet dhe rekomandim të parlamentit të Kosovës, fundja edhe jemi demokraci parlamentare dhe jo sistem gjysmëpresidencial apo presidencial por, edhe po të i përkasim dy sistemeve të fundit prapë se prapë duhet të kerkohet mendim më i gjerë dhe më unifikues për bisedime të tilla të cilat janë vitale për shtetin tonë.

Edhe sot, pas shtatë vitesh bisedime prap po kthehemi në pikën zero, por jo vetëm, sepse NE gjatë tërë këtyre viteve të bisedimeve kurr nuk përfituam asgjë, përveç se humbëm, madje jo pak sepse gjatë këtyre bisedimeve i vumë shtetësis sonë fusnotën, lejuam që Serbia të loboj kundër pavarësisë së shtetit tonë dhe më këtë humbëm disa njohje dhe nuk more pothuajse asnjë njohje të re gjatë këtyre viteve.

Kosova ka probleme të shumta, por një ndër problemet më të mëdha dhe më shkatërruese është kjo klasë politikanësh të korruptuar dhe të cilët kanë imazh të keq në Evropë dhe më gjerë. Kjo elitë politike në vazhdimësi tërhiqet si e pafajshme dhe nuk e merr mbi supe fajin por kan arritur aq largë sa që krijoin opinione të tilla që Evropa paska albanofobi…

Bisedimet duhet të ndërpriten menjëherë derisa të krijohen kushtet për të bërë një platformë të përbashkët politike duke përfshirë pozitën dhe opozitën madje duke përfshirë edhe shoqërinë civile dhe ekspertë të fushave të caktuara. Duhet të kemi një pikë synim, duhet të jemi të përgatitur, sa edhe deri në ç’masë mund të lëshojmë pe në këto bisedime, por asesi nuk guxon dikush të shkojë të bisedojë për fatin e Kosovës duke mos informuar askënd se cilat janë temat dhe opsionet në tavolinë. Edhe po të jetë njeriu më kredibilitetin më të lartë dhe legjitimitetin absolut nuk guxon i vetëm të marr vendime të tilla që janë më interes vital për shtetin, për këto lloj vendime duhet patjetër konsultim, të paktën më të gjitha partitë politike të cilat janë përfaqësuese në kuvend…