John F. Kennedy
Shpallje

Nga: Albin Kurti

Sot bëhen 55 vjet prej vrasjes së presidentit të 35-të të ShBA-ve, John F. Kennedy. Presidenca e tij, e ndërprerë në mes, u shqua për reformat në të mirë të shoqërisë e demokracisë. Presidenti Kennedy e quajti programin e tij “New Frontier”, apo “Kufiri i ri”. Në vizionin e tij armiku kryesor nuk ishte një vend apo popull tjetër, synimi nuk ishte zgjerimi i kufirit në territorin e popujve të tjerë. Kufiri i ri që duhej zgjeruar ishte ai i mirëqenies, i shkencës, i ekonomisë. Armiku ishte varfëria, diskriminimet e mungesa e investimeve.

Presidenti Kennedy ishte nismëtar i dhjetëra reformave, ndër të cilat unë po i përmend vetëm disa:

– E zgjeroi ndihmën ekonomike për të papunët, duke përfshirë në program të ndihmës edhe fëmijët e tyre, duke ndihmuar 750.000 fëmijë.

– Filloi programin për zhvillim urban dhe infrastrukturor të zonave të prapambetura.
– Uli moshën e pensionit, që të hapen vende pune për të rinjtë.

– Nisi progamin për ndërtimin e shtëpive të reja, për t’i nxjerrë të varfërit nga getot. 450.000 vende pune u hapën vetëm në ndërtimin e shtëpive.

– Uli tarifat tregtare për tregti të lirë me vendet mike e aleate.

– Rriti rrogën minimale, dhe e standardizoi pagën e administratës shtetërore me atë private, që edhe në administratë të punonin profesionistë të përgatitur.

– Vendosi kufizim për orët që mund të punohen në javë, dhe pagesë e detyrueshme për orët shtesë. I dha të drejtën punëtorëve që të negocionin kolektivisht për pagat e të drejtat e tyre.

– Rriti mbështetjen për arsimimin dhe universitetet, bursat, investimet në infrastrukturë moderne, dhe arsimimin e atyre që ishin diskriminuar. Një e treta e programit “Kufiri i ri” kishte të bënte me arsimin.

Sipas specialistëve të arsimit, ai ishte investimi më i madh në arsim në shekullin e fundit, në ShBA.

– Filloi programin për shujta falas në shkolla në të gjitha zonat e varfra të ShBA-ve, duke i mundësuar 700.000 fëmijëve të hanë të paktën një shujtë të mirë.

– Modernizoi ndihmën sociale, duke bërë synim rehabilitimin dhe riaftësimin, jo thjesht mëshirën.

Nisi disa fushata për ndalimin e diskriminimit të afro-amerikanëve në gjykata, në arsim e punësim.

– Nisi fushatën më të madhe të urbanizimit social, ku duke ruajtur mjedisin dhe panoramat e qyteteve, u synua të pajisej me nga një shtëpi çdo familje e varfër dhe e mesme, si dhe të ndërtoheshin apartamente me qira të ulët për pensionistët. Ky ishte programi më ambicioz i strehimit i ndërmarrë ndonjëherë.

– Ai standartizoi barnat, investoi shumë sidomos në shërbimet mjekësore për shëndetin mendor, dhe filloi një program për kujdes mjekësor për punonjësit e bujqësisë.

– Filloi programet kombëtare të vaksinimit, për miliona fëmijë, kundër shumë sëmundjeve.

– Në kohën e tij gratë paguheshin sa 59% e burrave, andaj ai nxori një dekret për pagë të barabartë. 170.000 gra përfituan rritje menjëherë.

– Dyfishoi buxhetin për luftë kundër ndotjes së ajrit e ujit.

– Nisi një program kredish të lira dhe asistence teknike për bujqit, për fermerët, për të vetëpunësuarit dhe për bizneset e vogla.

– Nisi një fushatë antikrim, të kryesuar nga i vëllai Robert F. Kennedy. Vetëm në 1963 u çuan në gjykatë 288 mafiozë.

Këto dhe shumë nisma të tjera ishin pjesë e projektit të John F. Kennedy-t, të cilin e përkujtojmë sot me nderim, dhe mësojmë e frymëzohemi prej programit të tij.