Shpallje

Më fal Skënderbej. …
Më fal Skënderbej që edhe vitin tënd e bëme alla shqiptarshe dhe e kthyem nga Viti i Skënderbeut në Vitin e Krimit (të organizuar, pa organizuar, gjysëm të organizuar ).
Më fal o Kastriot që pushimet e Festave të Nëntorit i festuam në Turqi.
Më fal o Heroi ynë që shpatën tënde e mprehëm për të prerë njëri – tjetrin.
Më fal o Kalorës që gjuhën për të cilën ti luftove çerekshekulli po e përdhunojmë më mirë se çdo pushtues tjetër në komunikimet mediokre turqisht,anglisht, italisht, arabisht dhe kurvërisht.
Më fal Skënderbej që në kodrat dhe malet e vaditur me gjakun e luftëtarëve tuaj mbollëm plantacione hashashi.
Më fal o Strateg që tokën dhe detin arbëror e ndamë në katër shtete ku flitej ilirisht.
Më fal Skënderbej që shqiptarët po ikin nga Shqiperia më tepër se në kohën tënde dhe shumë më tepër se kur ishim në luftë.
Më fal o Gjergj që me “Çakademinë “tonë të shkencave kemi pranuar për ty soj e sorrollop emrash në sllavisht, serbisht, greqisht etj.dhe akoma dhe sot nuk arrijmë të vërtetojmë se tokat tona etnike shkojnë deri në Kroaci,që gjuha jonë është “mëma ” e shumë prej gjuhëve europiane dhe latine dhe se jemi shtetformues në Greqi e Maqedoni.
Më fal o Mendjendritur që gjakun e dëshmorëve të tu e bëme limonatë të antishqiptarizmës.
Më fal O Luftëtar që shtetin për të cilin luftove ja u besuam udheheqësave kleptomanë, psikopatë e perversë që si lopë e molën barbarisht duke i shkulur dhe sistët.
Më fal o Gjergji ynë që pushtimin turk e zëvendësuam me pushtimin më të egër shqiptar.

Në emrin tim dhe të gjithë atyre që mendojnë si unë të përulemi me përgjërimin më të madh që të na e bësh “hallall “.

I Juaji Albi Lushi