Shpallje

Firmoset marrëveshja ndërmjet qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim financiar 2017 për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçiencës energjitike, faza III”.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka deklaruar se plot 18.8 milionë euro do të investohet nga qeveria për rehabilitimin e konvikteve, për përmirësimin e kushteve për studentët.
Ahmetaj vlerësoi ndihmën e Gjermanisë, ndërsa theksoi se investimi do të kryhet në disa faza “Sektori energjitik ishte një nga betejat kryesore të mandatit të parë të qeverisë Rama, për rikthimin e ligjshmërisë së harruar prej vitesh si dhe rregullimin e strukturës së çmimeve.
Është me rëndësi vazhdimi i reformave, që qeveria Rama ka hyrë në hapin e dytë të zhvillimit të vendit. Përmes një plani strategjik, synohet një rrugë e qartë për reformimin e të gjithë strukturës së energjisë elektrike në Shqipëri. Së dyti, një nga marrëveshjet që firmoset në favor të përmirësimit të kushteve për studentët në universitete, investim 80 mln euro që Shqipëria do bëjë me ndihmën e qeverisë gjermane për kampuset universitare. Është premtim që Rama e ka dhënë dhe do e mbajë brenda përfundimit të mandatit të dytë për rikonstruktimin e qytetetit Studenti,” tha Ahmetaj.
Prej disa ditësh studentët protestojnë para ministrisë së arsimit dhe kryeministrisë, ku kërkojnë plotësimin e 8 pikave, ku një ndër to është edhe përmirësimi i kushteve në konvikte.
Tre marrëveshjet që firmosen 1-Memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin financiar mes Shqipërisë, Gjermanisë dhe Francës në lidhje me programin “Mbështetja e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”
2-Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”.
3-Marrëveshja ndërmjet qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim financiar 2017 për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçiencës energjitike, faza III”.
Tre marreveshjet e firmosura sot tek MFE
1. Memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin financiar mes Shqipërisë, Gjermanisë dhe Francës në lidhje me programin “Mbështetja e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”
Qëllimi i këtij Memorandumi Mirekuptimi është vazhdimi i angazhimit të Qeverisë Shqiptare për të finalizuar reformimin e të gjithë sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri. Ky reformim do të përfshijë, ndër të tjera, hapin e parë drejt ndarjes së OSHEE – Furnizuesit Universal dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, krijimin e Burses të Energjisë (APEX) dhe hapjen graduale të tregut të shitjes me pakicë, së bashku me krijimin e një tregu konkurrues me shumicë.
Ky është një dokument thelbësor si pjesë e instrumentit “Huatë e Bazuara në Politikat e Reformës” (PBL). Reforma shtrihet ne drejtime të shumëfishta: strukturore, operacionale dhe financiare. Për më tepër, Plani strategjik shqyrton dhe ndërton angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me procesin e anëtarësimit në Komunitetin e Energjisë dhe në BE.
2. Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”.
Qellimi i marreveshjes është që t’i mundësojë Republikës së Shqipërisë ose marrësve të tjerë, të cilët do të zgjidhen bashkarisht nga të dy Qeveritë, që të marrë nga KfW, për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”, shumat e mëposhtme:
– një kredi të butë nga KfW, e cila jepet në kuadër të bashkëpunimit publik për zhvillim në vlerë të përgjithshme deri në 30.000.000 euro (tridhjetë milionë euro);
– një shumë financimi prej gjithsej 2.000.000 euro (dy milionë euro) për masat e nevojshme shoqëruese për zbatimin dhe mbikqyrjen e projektit.
3. Marrëveshja ndërmjet qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim financiar 2017 për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçiencës energjitike, faza III”.
Ky financim (Faza III) 2,927,000 milion Euro në formën e grantit do ti bashkohet financimeve të akorduara më parë nga Qeveria Gjermane në vlerën prej 4,500,000 Euro (Faza I) dhe 2,032,179.23 Euro (Faza II). Të tre këto faza kanë të bëjnë me Qytetin Studenti Nr.1 dhe parashikojnë rehabilitimin e 9 konvikteve të Universitetit të Tiranës me parimin e efiçencës energjetike. Kosto e projektit për rehabilitimin e këtyre të konvikteve të Universitetit të Tiranës me efiçencë energjetike, vlerësohet në shumën totale prej 11.35 milionë Euro duke përfshirë edhe TVSh-në.
Ndërkaq, në fazën e përfundimit të plotë është projekti i mëparshëm i rehabilitimit me efiçencë energjetike i konvikteve të Qytetit Studenti Nr.2, siç njihen ndryshe konviktet e inxhinierisë pranë 21 Dhjetorit. Vlera e financimit për këtë projekt përfshirë kostot lokale dhe TVSH ka qenë 7.44 milion Euro. Projekti parashikonte rehabilitimin e plotë të 4 konvikteve të inxhinierisë së ndërtimit. Dy konviktet kanë përfunduar që në muajin Korrik dhe tanimë studentët banojnë në to ndërsa dy të tjerat përfundojnë brenda një periudhe 1-2 mujore.
I gjithë projekti i dakordësuar deri më tani dhe i garantuar me financim për Qytetin Studenti Nr.1 dhe Qytetin Studenti Nr.2 arrin në 18.8 milion Euro.
Ndërkaq, qeveria është në bisedime të mëtejshme për të garantuar edhe financimin për rehabilitimin e plotë të gjithë konvikteve të mbetura jashtë këtyre projekteve në Qytetin Studenti Nr.1.