Shpallje

Nga Dajana Zeqo

“Lajmi i keq është lajm i mirë” që shpreh jo vetëm interesin e medias, por edhe interesin e publikut për lajme jo të mira. Niveli i kriminalitetit në vend po avancondhe sot çdo rast dhune, vrasjeje nuk është më çështje e familjes apo grupit shoqëror që i përket, por e çdo familjeje shqiptare, të të gjitha moshave. Media dhe në veçanti televizioni me pushtetin që zotëron luan një rol të rëndësishëm në personalitetin e përdoruesve, ku lajmet më së shumti përqëndrohen në kronikën e zezë dhe politikë ku paraqitet dhe intesiteti më i madh problemor në vend, ku dominojnë çështje të dhunës verbale dhe fizike. Mjetet e komunikimit e strukturojnë shoqërinë jo për arsye ekonomike, por për arsye shqisore, ndjesore. Rasti më i fundit, i 13vjeçares në Kavajë e vërteton më së miri këtë gjë. Prej një jave mediat janë marrë me këtë rast ku u nis si lajm, por vazhdon si një telenovelë dramatike, duke ndërtuar emisione me dosjen penale të vajzës së abuzuar. Mirëpo media duhet të vetëpërmbahet pak jo për arsyen e publikimit, por për prekjen e intimitetit të një familjeje në rradhë të parë, si dhe për impaktin social që krijohet. Ekspozimi i lartë i lajmeve që mbartin njëfarë emocionaliteti, të mban të mbërthyer brenda një stresi të pafund që të bën të ndihesh i pasigurt rreth shoqërisë në të cilën jeton. Nga ana tjetër kjo gjë çon në një mungesë sensibiliteti që reflektohet nga indiferentizmi dhe i individualizmi i shoqërisë sot, ku janë tepër të rradhë njerëzit që ndihmojnë kur shohin një rast nevoje në rrugë. Në këto kushte media në Shqipëri mund të kryej rolin e saj informues dhe jo ta teproj me paraqitjen e agresionit dhe dhunës në programet informative dhe argëtuese. Ka një realitet të dhunës dhe një realitet të dhunës në media, prandaj është e rëndësishme që të tërheqi audiencë dhe jo klientë-në terma tregtarë.