Shpallje


Nga Refxhei Tola

Unë e dua protestën. E dua filozofinë e këtij modeli lëvizje ku ti i vë nën presion njerëzit që kanë pushtetin në duar, në emër të një kërkese që ngrihet mbi personalen, mbi individualen, mbi egon. Por unë nuk e dua një protestë si kjo e sotmja. Jo për shkak të dhunës e as për shkak të gazit lotsjellës, por sepse në fund të ditës sot shqiptarët opozitarë janë po aq të pakënaqur sa dje, e shqiptarët në maxhorancë po aq të qetë sa cdo ditë. Ajo që dua të them me pak fjalë është se asgjë nuk ndryshoi sot pas kësaj proteste.

Unë nuk mund tu besoj këtyre pseudo protestave ku forcat e ndryshme politike matin pulsin e shqiptarëve para zgjedhjeve. Shqiptarët janë në hall sot. Ky ishte mesazhi që unë mora nga kjo protestë. Të gjithë ata njerëzit në bulevard sot nuk e duan qeverisjen e kryeministrit Rama. Të gjithë ata njerëzit në bulevard sot, jetojnë jëtë të vështira dhe të varfëra. Kjo dukej në fytyrat e zbehta, të dobëta dhe agresive.

Po a janë protestat e tilla zgjidhje për problemet e njerëzve? Mendoj se jo. Në pak kohë vendi ynë ka jëtuar dy protesta shumë të mëdha, ajo e studentëve dhe kjo e sotmja. Asnjëra nuk zgjidhi dot asgjë. Sepse unë mendoj se të dyja këtyre lëvizjeve, të drejta deri në fund, u mungoi një element jashtëzakonisht i rëndësishëm; komunikimi. Unë besoj se fjala mund të zgjidhë cdo gjë. Unë besoj se nëse shqiptarët do të organizohen në sindikata, do të organizohen nën grupe me probleme të ngjashme, do të ngrihen me guxim për ti lexuar dhe paraqitur para gjithë shqiptarëve dhe qeverive, gjërat mund të marrin zgjidhje.

Unë do të doja shumë të protestoja sot, por nuk dola. Jam totalisht kundër atyre organizimeve komuniste që thonë mos dilni se nuk ja vlen të dalësh për Lulin dhe Monikën, sepse secili prej nesh proteston së pari për veten e tij. Por unë e dija se zëri im do të shuhej nën dronët që lexonin shifrat e protestuesve, shifra që opozita do ti përdorte për ti bërë presion qeverisë. Paralelisht në Vlorë, dronë të tjerë lexonin shifra njerëzish të tjerë, duke i trajtuar shqiptarët si sende që vlejnë vetëm për të mbushur masën.

Shqipëria është kthyer në një pazar njerëzish. Këtu në vendin tonë shiten dhe blihen njerëz, konsumohen njerëz, sakrifikohen njerëz dhe mbi të gjitha njerëzit vuajnë!!