Komandant Baca tregon për çka u intervistua nga Specialja

Gjykata Speciale po vazhdon intervistimin e ish-drejtuesve të UÇK-së.

Rreth shtatë orë ka zgjatur intervistimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Isuf Gashi, i njohur si Komandant Baca, nga Gjykata Speciale.

Intervistimi i tij do të vazhdojë edhe nesër.

Për KTV-në, Gashi ka thënë se është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit derisa ai ka thënë se u ka ofruar të dhëna për luftën e pastër të UÇK-së.

Luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), invalid dhe veteran i luftës Isuf Gashi, të mërkurën është intervistuar nga Gjykata Speciale, rreth orës 09:30, në Prishtinë.

Isuf Gashi i njohur si Baca i Madh është nga fshati Drenoc i Komunës së Rahovecit. Gjatë luftës së fundit Familja Gashi humbi shumë anëtarë të familjes, prej të cilëve shumica ishin edhe pjesëtarë të UÇK’së. Kjo është ftesa e parë që po i bëhet nga Specialja, të cilës Isuf Gashi ju është përgjigjur vullnetarisht.

Përndryshe, në vitin 2005, nga Gjykata e UNMIK’ut, Gashi ishte akuzuar për Krime të Luftës, por që ishte shpallur i pafajshëm në një proces gjyqësor që zgjati pak vite.

Sot Gashi është 72 vjeç, dhe jeton si fermer vreshtar në pronën e tij në fshatin Drenoc të Rahovecit. Ai njihet si një nga figurat e respektuara të familjeve patriotike që kontribuuan në Luftën Çlirimtare.

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz