Vdekja e djalit të hasretit, rrëfehet familja

Shpallje

Rrëfimi i familjarëve për Krenar Jeminin që vdiq dje – punonte 7 ditë të javës për t’i ndihmuar familjes.

Listës së personave që ndërruan jetë në vend të punës iu shtua dje një 21 vjeçar, vëllai i vetëm i tre motrave, që për të siguruar një jetë më të mirë udhëtonte çdo ditë nga Mushtishti i Suharekës për në Lipjan.

Rasti tragjik ka tronditur më së shumti familjarët, të cilët sot i dhanë lamtumirën e fundit. Gazeta Express ju sjell rrëfimin për rastin
Çdo ditë fillonte herët për 21-vjeçarin, Krenar Jemini, nga fshati Mushtisht i komunës së Suharekës.

Për t’ia lehtësuar familjes barrën financiare, ai udhëtonte çdo mëngjes nga fshati i tij për në Lipjan. Ai punonte shtatë ditë të javës në një pompë të benzinës.

Kjo rutinë u përsërit edhe dje, kur Krenari u nis për në punë edhe në ditë vikendi, por, nga aty nuk u kthye më i gjallë.

Një aksident tragjik, që ndodhi pasditen e së dielës në fabrikën e Petrokoksit, që gjendet në Preoc, ku atë ditë kompania e kishte dërguar Jeminin, bëri që 21-vjeçari të merrte plagë të rënda dhe të vdiste në vend të ngjarjes.

Rasti ka tronditur më së shumti familjarët e tij, që sot gjatë dite po prisnin njerëzit që drejtoheshin për kryeshnosh.

Gazeta Express ka qëndruar në fshatin Mushtisht ku prindi i Krenarit dhe ata që e njihnin kanë rrëfyer për rastin.

Babai i tij, që me profesion është polic, është deklaruar se ka marrë vesh nga vëllai i tij se çka kishte ndodhur.

“Më ka lajmëruar vëllai përmes telefonit dhe më ka thënë se është lënduar në punë, edhe kam shku po ai kish pas vdek në vend të punës”, thotë Emin Jemeni.

Ai thotë se djali kishte tre muaj që kishte filluar punë në këtë fabrikë, megjithëse, edhe para një viti kishte qenë punëtor aty për një kohë.

“Që tre muaj, ka punu edhe para 1 viti nja 3 muaj në të njëjtën firmë, fakultetin e ka lanë në vit të parë për shkak të kushteve sun e ka vazhdu”, thotë ai, duke shtuar se pavarësisht se se kishte vizituar kompaninë ndonjëherë, e dinte se djali punonte me një materie që përzihet për nxehje e që quhet koks.

Babai i Krenarit po thotë se dje pasi që rasti ka ndodhur, i kishin vizituar nga kompania, e të njëjtët kishin deklaruar se ka qenë një vend ku nuk ka pas rrezik që një gjë e tillë të ndodhte.

Krenar Jemini qe vdiq dje ne vend te punes

Prindi i të ndjerit, gjithashtu shton se djali një vit më parë ishte regjistruar në fakultet në drejtimin “Administrim Biznesi”, por, për shkak të kushteve jo fort të mira, ai nuk kishte mundur t’i shkollojë të dy fëmijët, e kështu djali ishte detyruar të punojë.

Emini thotë se djali çdo ditë kthehej nga puna me rroba të pluhurosura, por, nuk e kishte ditur se mund të kishte diçka të rrezikshme për jetën.

“Deri në atë moment se kemi vlerësu se ka qenë punë me rrezik. Për punë të pluhurit dihet në tesha, janë gjithë të zeza, e për punë të rrezikut për jetë, se kam ditë se me kanë se kisha lanë”, shton babai.

Për t’i dhënë lamtumirën e fundit, vëllait të vetëm të tri motrave, në Kosovë mbrëmë erdhi nga Zvicra edhe xhaxhai i të ndjerit.

Bardhyl Jemeni flet për Krenarin fjalët më të mira, duke shtuar se është prekur shumë nga kjo tragjedi.

“Ka qenë një djalë i sjellshëm i mirë, i qetë e i respektueshëm. Për shkak të kushteve, u dashtë me i ndihmu babës edhe vetës diçka ma shumë se për qef nashta nuk e kish bo atë punë hiq”, thotë ai, duke thënë se lajmin e kishte marrë nga djali i hallës.

“Shtir është spo di çka me të thanë, djal të ri me hup, qat djalë e ka pas, tragjedi, nuk kam fjalë”, përfundon Bardhyli.

Shumë bashkëfshatarë dhe qytetarë të vendit që dëgjuan për rastin, gjatë ditës morën pjesë edhe në varrimin e 21-vjeçarit.

Lamtumira e fundit, atij iu dha në varrezat e fshatit Mushtisht të komunës së Suharekës, sot në orën 16:00.