I pështirë

Të ishte Vlora e martuar apo e bija e naj kapadaie si ti, nuk kishe guxu ti me ofendu kaq ultë, plus pa të bë ty kurrgjë keq, se ishin ardh katunaria ta kishin nxan derën e t’kishin lyp m’u rrëfy, ose çiftja e ime t’kish tregu kush prej ‘neve’ e ka të kalumen më ‘të errët’, për kë punojmë ‘ne femrat pa krahë’ dhe për kë punojnë ‘femrat tua’ me çanta 2000 euro, se as neve s’na ka ba pela.

Marre. Nëse femrën nuk e nënshtroni, nuk e rrehni apo nuk ‘e bleni’ me paret që ia vjedhni shtetit (i keni mbush institucionet me botox), e ofendoni kështu flliqtë, me ymydin që e frikësoni, dhe keni të drejtë se gati krejt shqiptarët duket sikur ‘janë të frikësuar’ prej teje.

Kjo është goditje aq e ultë Ramush Haradinaj, sa Vlorën (e cila nuk ka vëlla), duhet ta mbrojnë i madh e i vogël nga ti dhe nga ‘paramilitarët’ t’u sepse e meriton dhe është e denjë.
(Mundesh m’i kërku falje se je prind, ke vajzë dhe jeta është e gjatë. Edhe Vlora ka nanë që ti e ke mërzitur shumë sot).

  1. Të gjithë jemi mërzitur. U fëlliq çdo gjë, i ka humb kuptimi edhe ‘Skënderbeut’ në emër të të cilit sot Dardan Gashi e mori një mirënjohje nga Ilir Meta.

O Zot i madh. A ka drejtësi!
Për çka mirënjohje? Kush është Dardan Gashi?
Ai psikopati që e ka pëshurr bustin e Skënderbeut nuk e ka ‘pëshurr’ më shumë se mafiozi milioner, Ilir Meta që në emër të Skënderbeut u shet mirënjohje mangupave e sekserave më të mëdhenj të këtij populli.

  1. Askush nuk po flet. Së paku a po e vëreni se jo veç ju, por të gjithë po heshtin.
    Heshtin sepse kjo qeveri i paguan disa nga portalet dhe gazetat me pare, e disa portale shiten për 800 euro në muaj, kaq poshtë ka ra katundi.
  2. Isha tërheq edhe unë, rehat, por pasi kam shkuar aq larg sa është vonë të kthehem mbrapa, anipse e di se çdo gjë është e kotë dhe asgjë nuk ia vlen në këtë vend të pushtuar nga një grup i krimit të organizuar, do të vazhdoj me ‘hap gojën’ sa të mundem dhe sa të di, sepse më e izoluar, më ‘e trembur’ dhe më e ‘pamundur’ nuk bëhem.
  3. A ekziston naj kompani për shitblerjen e shamjeve, a paguhen m’i ‘përndjek’ njerëzit derisa t’ua thyejnë mendjen, apo vet i ka çu Zoti se ti me mendjemadhësinë tënde e meriton përbuzjen e turmave, se di, por e di që me bë me
    i prek n’tel (e teli është zakonisht dikush i fesë e jo i kombit), të ‘detyrojnë’ shqiptarët, me kërku falje për mendimet t’ua, përndryshe ‘t’mysin’ me shamje copy-paste, ta krijojnë përshtypjen se nuk ka me t’çel sabahu t’gjallë.

Pra, ti sot i nervozon shumicën e shqiptarëve vetëm nëse i prek në fe. Nëse ua shkatërron shtetin nuk mërzitem.
Madje edhe kur vdesin djemtë e ri në vendet e punës, të punësuar te skllavopronarët që ua ‘pinë’ gjakun punëtorëve, nuk e bëjnë të madhe.
Edhe kur i largojnë nga puna për shkak se u bie flama-krejt heshtin.

Mos kërko falje, kurrë. S’po them me ja bë si Shën Lawrenci, të cilin gjynah, e dogji kisha për së gjalli, vetëm pse i ndihmonte të varfërit me zele e sallata të kopshtit të kishës.
Duke e djegur për së gjalli, Shën Lawrenci (ishte edhe poet), tha: Mendoj se kjo anë u poq, kthemëni në anën tjetër’

S’po them bëhu martir i fjalës së lirë, se s’mi ke as fjalët aq për “mashalla”, por së paku dija hallin vetes, mos fol nëse s’je në gjendje me mbrojtë deri në fund bindjen tënde.

Dikur, kur ti mos të jesh, ndoshta të kërkojnë falje, si Vatikani që pas 350 viteve i kërkoi Galile Galileot, pasi që e shkatërroi, ia bëri shtëpinë-burg dhe ia plasi zemrën, veç pse ka menduar se toka sillet rreth diellit.

Falja nuk mjafton. Falja as nuk ekziston. Sepse, faljen ti nuk e gëzon.
Mirë që ekziston gishti i mesëm (përpjetë) i dorës së djathtë i Galileut në Muzeun Galileo.
M’u çu me shku n’ekstrem e me lënë amanet me ta balsamu gishtin e mesëm 🖕.

  1. Kaniherë e pyes veten: Çka po bën këtu oj shoqe!
    A s’ke ku me shku? S’di kah me ja mbajtë! Apo, askush-askund s’të pret.
    Nuk i përgjigjem më as vetes.

Një grua 60 vjeçare më tregon se si i merr rrogë 100 euro për të pastruar në një institucion qeveritar ku punon sa katër veta.
Një punëtor i mërzitur nga jeta tregon se si e merr pagën çdo tre muaj anipse punon për një politikan të njohur milioner.

E kthej kokën kah vendlindja, shoh zi, terr, varfëri, papunësi, dhe kolonën e të rinjëve kah ikin.

  1. Ramush Haradinaj është kundër ndarjes së Kosovës dhe kundër bashkimit të Mitrovicës. Absurditet.

Dhe arrogancë:

  • Ramush Haradinaj ia jep 600 mijë euro ‘njanit’ t’anës t’Pejës për m’i çel një fabrikë private t’peletit dhe askush nuk e pyet pse!
    Donika Kada bile thotë: po, ja japim, ani çka!
  • Shpenzohen 700 mijë euro për festimin e pavarësisë, mbahet një koncert ‘sekret’ me një këngëtare që i ka ikur drejtësisë shqiptare, veç pse e preferon Kryeministri, askush nuk pyet ‘ku shkuan paret’!

Shqiptarët më as ‘nuk pyesin’. Se lë më të rrebelohen. Shqiptarët e Kosovës janë dorëzuar para mafisë politike dhe si me pahiri ‘Rusi dolaze’, amerikanët po shkojnë…!

A po e blejnë ‘komandantët’ lirinë personale me çmimin e lirisë së Kosovës! A çka?

  • I jep paret rezervë të bukës për ‘kurum e për salltanet’, askush nuk thotë ‘mos’.

-Jepen 6 milionë euro për vetura luksoze të qeverisë. Veturat i shfrytëzojnë privatisht.
Një hanume me frizurë banane po e shoh u knaq zoja çdo ditë tuj i grahë poshtë e nalt dugaj m’dugaj kerrit të qeverisë.

  • Kjo qeveri ua fali miliona borxhet e ujit shokëve të vet, kurrgjë-kurrkujt.
  • I dha 100 e kusur mijë euro për ‘demarkacionin’ e kufirit me Malin e Zi, anipse ‘pini maca ujë’, u kry ai muhabet.
  • Njëqind herë e tham, ia bëri rrogën vetes 3,000 euro, nuk bën kush zë, nuk mundohet kush për s’gjalli, së paku m’i thënë ‘a je në veti o jahu’.

Ky është zullimi i vërtetë, kjo është ajo taksa e vërtetë që ia paguajnë shqiptarët kësaj qeverie kriminale.

  1. Është fakt. Me vendosjen e taksës ndaj prodhimeve serbe, Kosova ja nisi me ta çu mallin e shtetit, por pastaj taksa u fallsifikua sepse mallrat serbe hynë nga veriu dhe nga Maqedonia.

‘Vuajtja’ serbe për ‘taksën’ është falls, sepse në realitet mallrat serbe nuk mungojnë.
Pra, ky është ‘shtosi’ serb: edhe hyjnë mallrat serbe në Kosovë, edhe Serbia paraqitet ‘viktimë’ pa qenë viktimë.

Ramush Haradinaj nuk e di se marifet është që kur lypset prej teje të jesh i ‘fortë’, duhet të jesh i fortë, e kur ndryshojnë rrethanat dhe lypset prej teje të ‘jesh i butë’ duhet të përshtatesh dhe të dukesh i butë, nëse do të qëndrosh gjatë në politikë.

Kokëfortësia është ves i njerëzve me pengesa e mungesa të ndryshme, nuk është virtyt.

Ramush Haradinaj tha plus se Bondsteel mund të largohet nga Kosova dhe të vendoset në Serbi.

Por kot kallet katundi, kur populli është i koncentruar kah komentet erotike në Instagram, askujt s’po i mungon Bondsteelli, .

Taksa e Ramush Haradinajt është ndaj Amerikës, jo ndaj Serbisë, sepse Serbia po i fut mallrat e veta në Kosovë, por Amerika ka fillu ‘m’i tërhjek.

  1. U tërhjek edhe Kadri Veseli.
    Pse e pret Kryeministrin të tërhiqet nëse është puna ‘kaq rrezik’.
    Taksën falls ndaj mallrave serbe po e mban PDK, sepse Ramushi është ‘i vogël’ për të qenë kaq ‘i madh’ sa po paraqitet.
  2. Në këto ditë të mërzitshme, në këtë kohë të pabarazisë së skajshme, ku populln e mbajnë gjallë solidariteti i hoxhallarëve të organizuar dhe kur ke përshtypjen se nuk ka shtet dhe s’paska pas kush kulm mbi kokë, ndodh dhe paqefet Albini.

Të duket sikur s’ka mbetur kush në këtë vend. Kush ka mbetur për të thënë ‘jo’, kur po hesht edhe Vjosa, edhe Antoni, edhe….krejt po heshtin.

Lexon komente, qindra komentues që e këshillojnë Albinin të lyp shërim jashtë vendit se ‘s’u besohet këtyne’ dhe përsëritet ‘legjenda urbane’ se si ‘e helmuan edhe Ibrahim Rugovën’.

Pabesi, pasiguri, paqartësi, shumë enigma dhe shumë krime e vrasje të pandriquara qe 20-të vjet.

Jemi vend i vogël për t’i përballuar gjithë këta kriminelë

  1. Pastaj, i shikon lulet më shtëpi, e pret pranverën të vijë.
    Ku ka më i bukur dhe më i bardhë se zambaku, por nëse e han, ti bllokon veshkat dhe të paralizon.
    Ku ka më e kuqe dhe më bukur se lulekuqja por e shkatërron sistemin nervor.
    S’ka bukuri që nuk të helmon.
    Si farat e mollës që janë të mbushura me helm cianid.
  2. I kanë marrë tre milion e gjysmë për të bërë eksperiment me fëmijët tuaj që nga klasa e parë, dhe ju heshtni.
    Është kordinator i kulturës por bën eksperiment me fëmijët tuaj bashkë me një ministër të arsimit që s’ka haber me libra, dhe ju heshtni.
    I detyrojnë nxënësit e klasës së parë që pa e mësuar alfabetin të mësojnë të shkruajnë ese, dhe të bëjnë gara e rivalitet me njëri-tjetrin, e ju heshtni.
    S’ka më shok klase, por rival dhe ‘armiq’ – dhe ju heshtni.

E keni çuditur edhe Finlandën.

Allaile pse heshtni!
A më e madhe është dashuria juaj për fëmijët tuaj apo frika prej pushtetit.
Se në fakt ju edhe heshtjen e keni falls se nuk heshtni, me njëri-tjetrin qaheni për këto padrejtësi dhe kaq u mjafton.

Ese nuk di të shkruaj as vet kordinatori e asnjë ministër, ese s’dinë të shkruajnë dy tre veta prej shqiptarëve, se nuk ka as fakultet për t’u bërë shkrimtar.

  1. Hashimi ka maru shpi krem si të Jay Z-isë, Rambo e ka shpinë ma të bukur se Stallone, kurse Isa Mustafa don me rrzu shpinë për me ndërtu një soliter 13 kate.
    I 13-ti është Juda 😂.

P.S.
Pastaj vjen nata, e lexoj një tregim dashurie të çiltër
dhe interesant të Sadije Berishës, dhe e kuptoj se çdo dashuri përditë lodhet dhe përditë bie në gjumë.

E kërkoj mënyrën më të bukur që do të më shkatërroj. E kujtoj Charles Bukovskin që tha: ‘Gjej atë që do dhe lëre të të shkatërroj’.

Dhe në fund ‘varem’ prej vargut të Teki Dërvishit që tha: ‘Vetëm ji dhe bëj çfarë të duash me mua’.

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz