Shpallje

Burdushi ka tentuar t’i jap fund jetës së tij.

Hysri Peqani, i njohur si Burdushi, ka tentuar t’i japë fund jetës para dy jave në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku është duke u mbajtur për më shumë se dy muaj.

Këtë veprim, Burdushi ka deklaruar se e ka bërë në shenjë të pakënaqësisë ndaj vendimit të Gjykatës.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, për Gazetën Express.

Thaçi ka thënë se Burdushi ka tentuar t’i jap fund jetës së tij më 25 shkurt të këtij viti, rreth orës 05:00 të mëngjesit, por se zyrtarët korrektues kanë reaguar shpejt dhe kanë parandaluar një tentativë të tillë.

“Me datën 25.02.2019, rreth orës 05:00 të mëngjesit, i paraburgosuri H.P. ka tentuar t’i jap fund jetës së tij, me ç’rast si mjet ka përdorur çarçafin e shtratit, i cili është në dhomën e tij. Mënyrën e tentim-vetë-varjes e ka bërë duke e lidhur çarçafin për TV të cilën, po ashtu, e ka në dhomë. Pasi që është dëgjuar një zhurmë në dhomë, zyrtarët korrektues kanë reaguar shpejt dhe kanë parandaluar një tentativë të tillë ende pa filluar (d.m.th. në fazën fillestare)”, ka thënë Thaçi.

Drejtori i burgjeve ka thënë se Burdushit i është dhënë ndihma mjekësore dhe se është konstatuar që nuk ka kurrfarë lëndimesh.

“Të paraburgosurit në fjalë i është dhënë ndihma mjekësore dhe është bërë kontrolli mjekësor, me ç’rast është konstatuar se nuk ka kurrfarë lëndime, por përveç shqetësimit dhe frustrimit. Në bazë të deklaratës së dhënë nga i paraburgosuri, këtë veprim e ka bërë në shenjë të pakënaqësisë së vendimit të Gjykatës dhe të padrejtësisë që i është bërë atij”, ka thënë Thaçi.