Shpallje

Ekspertiza për rastin Astrit Dehari ende nuk është kthyer nga Zvicra.

Po bëhen thuajse një vit që prej kur lënda për rastin e Astrit Deharit është dërguar për ekspertizë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, por ende pa rezultate.

Në Prokurori thonë se nëse rezultatet nuk kthehen këto ditë, ata do të bëjnë parashkresë që të shpejtohet rasti.
Edhe avokati i angazhuar nga familja Dehari, Tomë Gashi ka thënë se ende nuk kanë marrë asnjë njoftim lidhur me rastin Dehari.

Prokurori Metush Biraj i ka thënë Gazetës Express se ata ende janë në pritje të ekspertizës nga Zvicra, dhe se ende nuk kanë ndonjë informacion se kur do të dalin rezultatet e ekspertizës.

Por, Biraj thotë se nëse vonohen shumë rezultatet, do të bëjnë parashkresë që të shpejtohet rasti.

“Jo nuk ka asnjë të re. Jemi në pritje të ekspertizës nga Zvicra, por akoma nuk ka diçka të re. Ata kanë thanë që së shpejti kryhet, por që lënda është më e komplikuar edhe iu duhet kohë më shumë.

Por, nëse zgjatë shumë duhet me ba një parashkresë për me urgjentu, se u zgjatë shumë. Ndoshta atje i kanë përfunduar, por te ne ende s’kanë arrit. Jemi në pritje, dhe për çdo informatë do të njoftohet menjëherë opinioni publik”, ka thënë Biraj.

Informacione se kur do të dalin rezultatet e ekspertizës nuk ka as avokati i angazhuar nga familja Dehari, Tomë Gashi.

Gashi i ka thënë Gazetës Express se prej kohës kur ka shkuar rasti në Zvicër nuk kanë marrë asnjë njoftim për rastin.

“Jo, prej se që ka shku rasti në Zvicër, lidhur me kërkesën e familjes për hetime të pavarura , s’ka kurrfarë njoftimi për rastin, dmth se kur do të përfundojnë këto në Zvicër, e tashmë thuajse është bërë një vit prej që ka shku rasti në Zvicër.

Javën e kaluar kam biseduar edhe me prokurorin në Prizren, por edhe ai ka thënë që nuk ka asgjë të re, pra që nuk është kthyer rasti prej Zvicrës”, ka thënë Gashi.

Gashi thotë se po i presin rezultatet e ekspertizës që të mbyllet rasti, derisa thotë se edhe ai edhe familja Dehari besojnë se rasti ka qenë privim nga jeta.

“Më 6 nëntor 2016 prokurorët kanë deklaruar se rasti do të mbyllet brenda 15 ditësh, e tashmë janë bërë 2 vite e gjysmë thuajse, dhe ende s’është mbyll rasti. Që i bie se duhet të priten rezultatet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, që të mbyllet rasti.

Familja e Astrit Deharit kanë deklaruar se do t’i presin rezultatet, por ne besojmë që rasti ka qenë privim nga jeta dhe se ai nuk ia ka marr vetës jetën”, deklaroi Gashi për Express.

E derisa po kryhet super ekspertiza, kanë ndërruar edhe deklaratat e prokurorisë për këtë rast, tashmë, edhe në dokumente rasti “Dehari” nuk po cilësohet si “rast i dyshimtë”.

Kjo bëhet e ditur edhe në dokumentin zyrtar që ka siguruar Express, i dërguar nga Prokuroria Themelore në Prizren, nga ku mësohet edhe emri i personit që do të kryejë ekspertizën.

Reagim për këtë ndryshim të referimit kanë pasur edhe nga familja Dehari.

“Prokuroria Themelore në Prizren më nuk e cilëson as përmes deklaratave se ish-aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari ia ka marr jetën vetës. Tani edhe me dokumente zyrtare, me vendimin me të cilin sipas kërkesës së familjes Dehari rastin e ka dërguar për hetime të pavarura dhe në kuadër të këtyre hetimeve është kërkuar super ekspertizë nga qendra e mjekësisë ligjorë në Lozanë të Zvicrës. Tani prokuroria me këtë vendim rastin e kualifikon si “rast i dyshimtë”, tha për Express avokati Tomë Gashi.

Familja Dehari ka dërguar një kërkesë për të gjitha provat dhe dokumentet që ka dorëzuar në Zvicër prokuroria.

“Ne besojmë se të gjeturat nga Zvicra nuk do të duhej që të vonohen shumë nga se kanë kaluar më shumë se dy vite nga rasti i Astrit Deharit dhe rasti do të duhej edhe juridikisht të mbyllet si privim nga jeta dhe pastaj të gjenden fajtorët”, ka përfunduar avokati Gashi.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, u gjet i pa shenja jete në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016.

Dehari po mbahej në paraburgim nën dyshimin se ishte pjesëmarrës në sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës në natën e 4 gushtit të atij viti.